TIRANË, 13 dhjetor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se “Qeveria zgjidhjen e ka dhe do ta japë me dialog”.
Në punimet e seancës së sotme, Kryeministri Rama tha se “zgjidhja vjen me dialog, opozita kërkon vetëm bllokim të zgjidhjes, sepse kërkon të nxjerrë nga zjarri gështenja zjarri duke futur studentët në qorrsokak”.
“Pse na duhet dialogu, pika për vetingun e titujve, ne kemi një plan si duhet bërë kjo duhet rënë dakord për planin dhe një gjë di unë brenda 6 muajve të ardhshëm kryetarja e LSI-së do të jetë doktoresha e parë e shkencave që do të heqë bluzën e doktorit dhe do të mbetet me çizmen e LSI”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se “leximi im i protestës së studentëve shumë shkurt; e para, protesta i dha një shuplakë qeverisë; e dyta, i dha një grusht opozitës dhe e treta, i dha një shpresë shoqërisë. Shoqëria kërkon zgjidhje dhe shoqëria nuk mund ta pranojë që zgjidhja mund të vijë me porosi nga doktoresha e Shkencave Monika Kryemadhi nga profesor Lulzim Mziu apo profesor Qorri”.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës të pranishëm në seancë, Rama tha se “adashi im me mbiemër, Rama Luan tha që studentët kanë të drejtë të na nxjerrin jashtë ndërkohë që juve ju kanë nxjerrë jashtë sepse u detyruat të mblidheni në ilegalitet dhe ta ndikoni protestën të maskuar”.
“Së pari dje janë formuar edhe organet e para të drejtësisë së re, Këshilli i lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit pasi u krijua edhe Këshilli i emërimeve në drejtësi.
Për sa i përket propozimit të tyre nuk është çështje as proceduriale, as çështje buxheti, që është tek Presidenti. Propozimet e këtyre janë të refuzuara, sepse janë propozime të bëra për të mos u bërë kurrë”, – nënvizoi Rama. /k.s/























