TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/- Kuvendi miratoi sot në seancë plenare projektligjet e parashikuara në axhendë sipas rendit të ditës, ku ndër më kryesoret ishin ato për investimet e huaja dhe strategjike.
Me 72 vota pro, Kuvendi miratoi projektligjet “Për një ndryshim në ligjin “Për investimet e huaja”, të ndryshuar; “Për prokurimin publik”, të ndryshuar”; “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” dhe projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”.
Gjithashtu në seancën plenare të së enjtes, me 72 vota pro u miratua edhe projektvendimi “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” të ndryshuar si dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2018 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar.
Me 65 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenim deputetet miratuan edhe kandidaturën e Raimonda Islamaj, anëtare e Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë, kundrejt kandidaturës së Enton Shaha, që mori 68 vota kundër, 2 pro dhe 2 abstenim. e.xh/j.p/














