TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/- “Jam e gatshme të takohem kudo me studentët, por nuk është etike që unë të shkoj në shesh tek ata”, ka deklaruar ministrja e Arsimit.
Këtë deklaratë, Lindita Nikolla e ka bërë në një aktivitet në Parlament, kur është pyetur për protestën e studentëve, të cilët janë çuar në një lëvizje të fuqishme në të gjithë vendin.
“Po vij nga inspektimi në disa godina, ku do të shpenzohen 18 milionë euro me kushte dhe standarde të mira. Përveç ndihmës nga partnerëve dhe buxheti i i qeverisë shqiptare do krijohen kushte të mira dhe Shqipëria do të bëhet me ligj për rininë. Kam bërë një tur me dëgjesa dhe do kërkojmë llogari se sa dhe si të gjithë aktorët kanë realizuar përgjegjësitë e tyre Arsimi cilësor mbetet sfidë dhe kemi shumë për të bërë, por reforma po jep frytet e saj”, deklaroi Nikolla.
Ajo deklaroi sërish se beson fort se studentët kanë të drejtë. “Protesta është legjitime dhe ka qenë katalizator që të hapim dialog për arsimin e lartë. Sa janë të përputhshme kurrikulat dhe shumë çështje të tjera. Jam e gatshme dhe ky moment shërbeu për një moment të ri reflektimi, nga unë e para. Studentët duhet të jenë njerëz që të dinë shumëçka që ndodh në Universitete. S’kam asnjë problem të dal të takohem në fushë, as në mal, por mendoj nuk është etike që të merresh vesh në atë mënyrë. Të vendosemi në kushte të paqta dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin e për t’u parë në sy. Jam duke pritur që Këshillat Studentorë si të duan ata të sjellin përfaqësuesit e tyre dhe të diskutojmë shumëçka. Kjo nuk është tërheqje është adresim. Të zgjedhin rrugën e tyre për të qëndruar në sheshe, por duhet të fillojmë dialogun”, – theksoi ministrja. /a.g/





















