TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/- Përcaktimi i saktë i adresave ishte në qendër të një takimi të zhvilluar sot nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj me prefektët, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët vendorë të Policisë, si dhe përgjegjësit e Zyrave të Gjendjes Civile në të gjithë vendin.
Gjatë takimit, ministri Lleshaj u ndal në problematikën e mungesës së përcaktimit të saktë të adresave për shtetasit shqiptarë apo përdorimin e kodeve 999, 888 e 000.
Lleshaj kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për koordinimin e punës nga të gjitha hallkat përgjegjëse, nën vëmendjen e prefektëve të qarqeve dhe strukturave vendore të Policisë.
Po ashtu, ministri Lleshaj kërkoi që të përshpejtohet puna në të gjithë vendin për identifikimin dhe plotësimin e plotë të Adresarit Kombëtar të Gjendjes Civile. /k.s/ /a.g/
























