Ballina Aktualitet

Protesta e studentëve, Nikolla: Nuk ka asnjë rritje tarife

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/-  Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla sqaroi studentë protestues të cilët kërkojnë anulim të tarifave të provimeve të prapambetura. Nikolla argumentoi se nuk ka asnjë rritje të tarifave të studimit, duke bërë një krahasim me qeverisjen e kaluar. Sipas saj nga viti 2013 deri më sot ka pasur vetëm një rritje tarife në vitin 2014.

“Është një pikë që nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk ka ndikim tek asnjë student. Hyn në fuqi vitin e ardhshëm, por deri në atë moment do të kemi marrë vendimin e duhur”, tha ajo.

Ministrja sqaroi më tej se “në vitin 2009 tarifa minimale ishte 12 mijë në 2013 kjo tarifë shkoi në 14300 lekë. Tarifa mesatare nga 16500 shkoi në 20500 duke impaktuar 13 mijë studentë. Tarifa maksimale ishte 30 mijë shkoi 45 mijë, pra një rritje prej 50% dhe ka impaktuar 4 mijë studentë. Efekti financiar i kësaj shifre ka kapur shifrën 128 mln lekë. Në vitin 2013 -2017 kemi një rritje tarifash vetëm në 2014. Tarifa minimale ishte 14430 shkoi në 20 mijë ka impaktuar 4500 studentë, pra një rritje prej 5570 lekë. Tarifa mesatare nga 20600 shkoi 21600 dhe tarifa maksimale zero rritje. Pra kjo rritje e tarifash nuk ka prekur të gjitha programet e studimit. Ka prekur shkencat e natyrës dhe gjuhet e huaja. Efekti financiar është 75 mln lekë”.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla përmes një deklarate për mediet lidhur me protestën e studentëve sqaroi opinionin publik se pika nr. 4 e VKM, për të cilët studentët kërkojnë anulim hyn në fuqi në vitin 2019 dhe nuk ka fuqi prapavepruese.

Nikolla shpjegoi gjithashtu se deri në atë moment do të adresohet si çështje që targeti t’u lihet universiteteve dhe jo rregullimit me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ministrja sqaroi gjithashtu se ka kërkuar takim me studentët përmes një përfaqësimi të tyre, por ata nuk kanë pranuar, duke kërkuar vetëm takimin formal përmes komunikimit në shesh. Ndërkaq, Nikolla tha se protestat e studentëve përbëjnë edhe momentin e duhur që bordi administrues i universiteteve të ushtrojë kompentencat e duhura në përgjegjësinë sesi do të jetë vendimmarrje e tyre në këtë proces.

Kërkesa tjetër e paraqitur nga studentët lidhej me përmirësimin e kushteve në konvikt, për të cilën Nikolla ka deklaruar se “5.3 milionë euro janë investuar në 4 godina studentësh tek Inxhinieria dhe janë në proces 6 milionë euro për 8 godina në Qytetin Studenti. Ne jemi të vendosur të rrisim investimet vit pas viti”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakStudentët kundër tarifave, protestë para Ministrisë së Arsimit
Artikulli tjetërMuzetë e Beratit, destinacioni i preferuar edhe gjatë sezonit dimëror