Ballina Aktualitet

E drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmështete apo shtete në letër

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Sot është dita për ta thënë me forcë se e drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmështete apo shtete në letër, të zhveshur nga prerogativat dhe tagret e vetëqeverimit të tyre”.

Kështu deklaroi sot në Pejë, Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Rama u shpreh se “për Shqipërinë, Kosova është një shtet i pavarur, sovran i barabartë me të ngjashmit e tij, me një regjim kushtetues demokratik dhe liberal, garancia dhe qenësia e normalizuar e të cilit, është çelësi i stabilizimit përfundimtar dhe i ndërlidhjes ndërajonale në një pikëpamje afatgjatë”.

Për Kosovën, tha Rama, “përveç të qenurit sentimentalisht shembëlltyra referencë e shtetndërtimit të saj, Shqipëria është shteti natyralisht më i pritur për bashkëpunim dhe më i interesuar për suksesin e Kosovës, pas lindjes së saj si shprehje e një drejtësie të munguar”.

Sipas Ramës, “e drejta ndërkombëtare është e drejta e njeriut, që nuk njeh gjysmënjerëz dhe nuk i vlerëson të drejtat themelore të shkëmbimeve të njerëzve dhe mallrave me gjysmë çmimi”.

“Ne i kemi mirëpritur dhe i mirëpresim në çdo çast të gjitha dinamikat dypalëshe apo shumëpalëshe që çojnë drejt plotësimit të kuadrit ende artificialisht të gjymtuar të sovranitetit të Kosovës dhe dinjitetit të popullit dhe lëvizjes së tij të lirë”, – shtoi Kryeministri.

Ja pse, tha ai, kemi qenë dhe mbetemi të zhgënjyer nga qasja e BE-së dhe të gjitha atyre shteteve që janë në themel të pavarësisë së Kosovës, në raport me të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj.

“Ja pse themelimi i forcave të rregullta të Armatosura të Republikës së Kosovës ishte hapi i duhur, hapi domethënës dhe kuptimplotë në drejtim të plotësimit të kuadrit të një shteti që nuk mund të konsiderohet nga askush një gjysmështet”, nënvizoi Rama.

Por, sipas tij, vonesat në procese si Interpoli, janë shfaqje dekurajuese për qasjen e partnerëve potencialë në këtë rajon, që mjerisht ende gdhin me mendësi dhe instrumente konfliktualiteti, por edhe me skema frikërash dhe makthesh të sforcuara, për t’u viktimizuar në sytë e botës”. “Ndërkohë që viktima, Kosova, ka shfaqur qysh në krye të herës vullnetin për ta kapërcyer të shkuarën përmes një dialogu të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë, që nuk është gjithmonë i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë nga ana tjetër”, – tha Rama. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNJU JORK – FT: Pekini në kërkim të aleatëve në luftën tregtare kundër SHBA-së
Artikulli tjetërFOTO/ “Takohemi për një libër” në Muzeun Arkeologjik të Durrësit