Ballina Kryesore

Transformim i mbështetjes logjistike për Policinë e Shtetit

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2232858953647474/

TIRANË, 24 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Flota e re e makinave të Policisë së Shtetit, e cila u prezantua sot në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, dëshmon transformimin e mënyrës së funksionimit të gjithë procesit për garantimin e mbështetjes logjistike të Policisë së Shtetit.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në prezantimin e kësaj flote, ndërsa solli fillimisht në vëmendje situatën në të cilën gjendej Policia e Shtetit para vitit 2013.

“M’u kujtua një raporti i vitit 2010 në media për 5 makina të sapo blera të Policisë së Shtetit që kishin mbetur në rrugë. 3 prej tyre, të sjella pas një tenderi prej miliona eurosh, kishin hapur kofanon te hyrja në Zogun e Zi për probleme me tubin e ujit dhe dy të tjera kishin mbetur te kthesa e Rinasit dhe u desh të rimorkioheshin”, tha Rama.

Ky episod spektakolar, sipas Ramës, nxjerr në pah një vazhdimësi të mbrapsht të procedurave për Policinë e Shtetit, e cila u bë edhe objekt komedish dhe përqeshjesh shumë shpesh, për shkak të keqpajisjes me mjete apo me uniforma.

Duke u ndalur te flota e re e makinave, Rama tha se “kjo është flota e parë e siguruar me një kontratë ndryshe, 4-vjeçare, në bazë të së cilës të gjitha mjetet do të zëvendësohen me të reja pas 4 vjetësh, duke shmangur historitë dhe tenderat e pafundëm të së shkuarës”.

“Ne shmangim imazhin qesharak të një Policie Shteti, që kishte një lloj-lloj makinash, me lloj-lloj problemesh, një karneval me trupën që reflekton dinjitetin dhe seriozitetin e një shteti”, tha Rama.

Kjo metodë e garantimit të logjistikës, sipas Kryeministrit, përdoret gjerësisht në vendet e zhvilluara dhe garanton shumë më tepër automjete se sa me tenderat. “Automjetet janë gjithmonë në gjendje funksionale dhe shërbimi i përgjigjet në vijimësi çdo difekti dhe i zëvendëson makinat në kohë reale, në rast se ato kanë një problem”, tha Rama. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLleshaj: Epërsi dominuese ndaj krimit, politika të rreshtohet në krah të policisë
Artikulli tjetërHAPËSIRË – Zbulohet një yll jonormal, shfaqet hipoteza e strukturave aliene