Reforma e pronës i jep fund kaosit

TIRANË, 23 nëntor/ATSH-Maela Marini/ E nisur në vitin 1991, reforma e pronës në Shqipëri nuk është përmbyllur ende, edhe pse në çerekshekulli janë shpenzuar për gjithë procesin 80 milionë euro.

Kështu deklaroi sot nga Libofsha Kryeministri Edi Rama, ndërsa trajtoi disa aspekte të çështjeve të pronësisë në Shqipëri.

Reforma e pronës e ndërmarrë nga kjo qeveri, sipas Kryeministrit i jep fund gjithë këtij kaosi.

Rama tha se “ligji i ri i adreson të gjitha problematikat e ndeshura”.

“Reforma e pronës nisi në ’91 me reformën e konsensusit, ligjin 7501. Sot jemi në vitin 2018 dhe kjo reformë nuk është mbyllur akoma. Nëse në gjithë botën normale është shteti që i gjëmon nga mbrapa njerëzve që të regjistrojnë pronën për t’u marrë taksat, në Shqipëri janë qytetarët që e bëjnë këtë dhe shteti nuk arrin dot t’i regjistrojë”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “sot në Shqipëri janë 20 mijë familje fermere që nuk e kanë mbyllur procesin e regjistrimit të AMTP-ve, ndërkohë që gjysma e atyre që janë lëshuar nuk kanë marrë akoma certifikatën e pronësisë”.

“Edhe për banesat po kështu. Faktikisht nga banesat e privatizuara në kohën e Kadri Saliut akoma sot kanë nevojë të marrin certifikatën rreth 30 mijë familje. Në çerek shekulli janë shpenzuar për gjithë procesin e pronës 80 milionë euro për regjistrime dhe ende sot janë më shumë se gjysëm milioni subjekte, familje, njerëz apo prona të paregjistruara”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.