Ballina Aktualitet

Protesta/Prokuroria nis hetimet: Arrestim të personave përgjegjës

TIRANE, 22 nëntor/ATSH/-Pas protestës së dhunshme para Kuvendit të banorëve të “Unazës së Re”, ka reaguar Prokuroria e Tiranës. Në deklaratën e prokurorisë theksohet se po hetohen organizatorët e protestës për plagosje të rëndë me dashje. Hetime do të ketë edhe për grumbullim e tubime të paligjshme, për prishje të qetësisë publike.

Prokuroria e Tiranës  thekson gjithashtu se ka marrë në dorë pamjet filmike dhe po identifikohen protestuesit e dhunshëm, ndërsa ka marrë në pyetje të lënduarit.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Tiranës pas protestës së dhunshme:

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë me juridiksion të Përgjithshëm, me datën 22.11.2018 ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.9146, për veprat penale të:

1.Plagosja e rëndë me dashje, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 88/1 i K.Penal.

2.“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 278/1 i K.Penal (i ndryshuar).

3.“Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, e kryer me dhunë dhe në bashkëpunim, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 236/2 i K.Penal.

4.“Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, e parashikuar dhe e dënueshme nga neni 262 i K.Penal.

5.“Prishja e qetësisë publike” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar dhe e dënueshme nga nenet 274-25 të K.Penal.

Pas regjistrimit të procedimit penal është krijuar grupi hetimor në përbërje të të cilit janë prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore. Në drejtimin e prokurorëve janë kryer veprimet e para proceduriale, që kanë të bëjnë me kqyrjen e vendit të ngjarjes, fiksimin e provave materiale, pyetjen e të dëmtuarve, në Spitalin e Traumës në Tiranë, identifikimin nëpërmjet pamjeve filmike, si dhe në bashkëpunim me punonjësit e policisë, të personave që kanë kryer veprime konkrete, me qëllim kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë së tyre.

Nga veprimet e kryera deri tani rezulton se janë dëmtuar 15 punonjës policie, mes tyre dhe shtetësja I. M, me dëmtime të rënda të shëndetit, punonjëse policie e repartit special “Shqiponja”. Po ashtu në Spitalin e traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore dhe tre qytetarë, pjesëmarrës në protestë.

Veprimet në lidhje me këtë çështje penale vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprave të kryera, si dhe arrestimin e personave përgjegjës dhe dërgimin e tyre para Drejtësisë.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, siguron publikun, se në zbatim të detyrës tonë kushtetuese ka patur dhe do të ketë përkushtim maksimal për zbardhjen e shpejtë të ngjarjes, si dhe kërkon bashkëpunimin e tyre në përmbushje të rregullt të kësaj detyre./a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPas 23 vitesh, nga 1 janari zero TVSH për inputet bujqësore
Artikulli tjetërProtesta para Kuvendit, Braçe: Qëlluan me kapsollë, ata që qëlluan më 21 Janar