TIRANË, 21 nëntor/ATSH/- Shkrimtari, poeti, përkthyesi dhe fizikani Betim Muço është përkujtuar nga të afërm, familjarë, por edhe stafi pedagogjik dhe nxënësit e shkollës që mban emrin e tij në Njësinë Nr. 6 në Tiranë.
Shkolla e re në Kombinat, përveç emrit të “Betim Muços” do të mbajë në ambientet e saj edhe bustin e tij, si një shenjë mirënjohje për gjithçka ai bëri në fushën e shkencës, por edhe si shkrimtar e përkthyes. Në ceremoninë e vendosjes së bustit, mori pjesë edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Betim Muços dhe kontributin e tij me vlerë për shoqërinë shqiptare. Ndërsa solli në vëmendje historinë e miliarderëve botërorë të cilët zgjodhën të bëhen të pavdekshëm nëpërmjet filantropisë, Veliaj tha se Betim Muço e ka bërë këtë me dije dhe me veprën e tij.
“Në qoftë se ka një arsye pse sot nuk e konsideroj një ditë pikëllimi, por një ditë gëzimi për veprën e Betimit, është se me sa duket ai e gjeti këtë përgjigje dhe fakti që sot kishim dy zonja, zonjusha të nderuara, mësuese që i lexonin jetëshkrimin respektivisht për arritjet në fizikë, sizmologji, shkencë apo në letërsi, në shkrime, do të thotë që ai arriti ta kthente këtë përgjigje dhe përgjigja ishte ‘lër një vepër për të cilën ia vlen të kujtohesh, për të cilën ia vlen të emërtohet një institucion, ia vlen të përpiqet një skulptor’. Ndoshta ky është çelësi i pavdekësisë, se edhe kur të mos jem unë kryetar bashkie, Betimi do jetë këtu, edhe kur të merremi me punë të tjera, ndoshta të largohemi nga kjo jetë, Betimi do jetë këtu dhe ndoshta do jetojë më gjatë se disa nga ne, se la një vepër që e bëri të pavdekshëm”, tha Veliaj.
Prandaj, sipas tij edhe kjo ceremoni mund të shërbejë më shumë si një moment reflektimi për gjurmët që lëmë në jetë. Për këtë, shtoi Veliaj, nuk duhet patjetër të jesh kryetar bashkie apo njeri me pushtet.
Bashkëshortja e Betim Muços ndërsa falënderoi kreun e bashkisë së Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar vlerësimit të figurës së Betim Muços, vlerësoi edhe punët e mira që janë bërë për ndryshimin e Tiranës. “Uroj që figura e Betimit dhe të gjitha ato që ka sjellë ai, arritjet e tij të jenë frymëzuese për nxënësit e shkollës që të arrijnë suksese të mëtejshme. Ne do të vazhdojmë këtë aktivitet edhe duke dhënë familja disa çmime për nxënësit më të mirë në letërsi, disa çmime për nxënësit më të mirë në fizikë, në mënyrë që të motivojmë nxënësit dhe që të mbajnë lart këtë që na ka lënë Betimi, trashëgiminë e Betimit”, tha ajo.
Gjatë kësaj ceremonie u shpërndanë edhe bursa për nxënësit më të mirë të shkollës “Betim Muço” në fizikë dhe letërsi.
Shkolla e re 9-vjeçare “Betim Muço” në Kombinat hapi dyert për nxënësit e saj për herë të parë shtatorin e kaluar, në vitin 2017, me 27 klasa dhe 6 laboratorë dhe është një nga shkollat me infrastrukturën më moderne dhe bashkëkohore në Tiranë. Sot shkolla “Betim Muço” ka afërsisht 1000 nxënës. Gjithashtu, shkolla ka një palestër dhe 3 terrene sportive të jashtme, të cilat përveç shkollës, shërbejnë edhe si një hapësirë komunitare. /j.p/



















