Autostrada Tiranë-Durrës, dy rrugë alternative pa pagesë

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ – Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri deklaroi sot, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave se, nëse rruga Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë, atëherë ajo do të ketë dy rrugë alternative pa pagesë. Do të jetë rruga e biznesit që do përfshijë edhe Maminasin dhe rruga e Ndroqit, nga Kombinati në drejtim të Plepave në Durrës.

I pyetur në Komision për mirëmbajtjen e rrugëve, Gjiknuri tha se, “mirëmbajtja e rrugëve është një fushë problematike. Pasi në Shqipëri janë bërë rrugët por nuk janë parashikuar mirëmbajtje. Kemi diskutuar edhe me BB-në për të nxjerrë disa konkluzione, por nëse Tiranë-Durrës do të ketë pagesë do të ketë dy rrugë alternative pa pagesë. Do jetë rruga e biznesit që do të përfshijë edhe Maminasin dhe rruga e Ndroqit, nga Kombinati në Plepa”.

“Rruga Tiranë–Durrës duhet zgjeruar, sepse ajo rrugë bllokohet, sidomos gjatë verës dhe duhet zgjeruar. Por zgjerimi kërkon investime të mëdha mbi 230-240 mln euro. Por në këtë rrugë nuk do të vihet në kontratë garantimi i trafikut minimal, pasi ajo rrugë ka trafik të konsideruar”, tha Gjiknuri.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.