TIRANË, 20 nëntor/ATSH/- Bashkëpunimi i bashkisë së Shkodrës me bashkitë në Hungari, përmes ndërtimit të partneriteteve me interes të përbashkët ishte në qendër të takimit që kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi zhvilloi në Ambasadën hungareze në Tiranë me kërkesë të ambasadorit të Hungarisë në Shqipëri, Lorant Balla.
Gjatë takimit Ademi – Balla është folur lidhur me marrëdhëniet tradicionale mes dy vendeve, duke u fokusuar tek forcimi i tyre i vazhdueshëm, me Shkodrën si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Hungarisë.
Aktualisht, bashkia e Shkodrës po bashkëpunon me Koorporatën e Teknologjisë së Ujit të Hungarisë, përkatësisht në zbatimin dhe përdorimin e sistemit të kontrollit të automatizuar të shërbimit të ujit për qytetarët. /k.s/j.p/














