Buxheti për politikën e jashtme/ Kodheli: Rritje me 3%, Shehu: Nuk sjell asgjë të re

TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ – Buxheti i vitit 2019 për Politikën e Jashtme ka një rritje prej 3% për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme gjë që ka kënaqur disa nga kërkesat e kësaj ministrie, por opozita kundërshton duke theksuar se ky është buxheti i stanjacionit.

Kryetarja e Komisionit të Politikës të Jashtme, deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, për projektbuxhetin 2019 për politikën e jashtme u shpreh se “besoj që nga diskutimet që janë bërë qoftë në parim qoftë nen për nen me të dy ministritë dhe ministrat respektiv z. Bushati dhe z. Majko, ka një përputhje midis detyrimeve dhe zbatimit të strategjive të politikës së jashtme të qeverisë dhe buxhetit”.

“Në rastin e Ministrisë së Shtetit për Diasporën z. Majko ka parashtruar disa kërkesa për një shtesë buxheti që në gjykimin tonë është konsideruar e drejtë pavarësisht se kemi kërkuar që kjo kërkesë të vijë nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë me të drejtë sepse në fund të ditës është kjo ministri që përputh llogaritë e shtetit dhe të qeverisë”, tha Kodheli.

“Mendoj që ka pasur rritje rreth 3% të buxhetit për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila ka kënaqur disa nga kërkesat e kësaj ministrie dhe të shikojmë nëse ministri Ahmetaj do të na tolerojë me kërkesat e ministrit Majko për një shtesë relativisht modeste të fondeve të tij me qëllim që kjo ministri, Ministria e Shtetit për Diasporën në këtë rast të mund të fillojë të funksionojë ashtu siç duhet në suport të shqiptarëve jashtë kufijve të atdheut”, tha Kodheli.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare lidhur me pr/buxhetin e vitit 2019 u shpreh se buxheti 2019 për politikën e jashtme është buxhet i stanjacionit.

“Buxhetet në tërësi duhet të jenë incentiva për politika zhvilluese dhe ndryshuese të sektorëve, gjë që edhe ky buxhet për politikën e jashtme nuk e jep aspak. Është buxhet i stanjacionit, i kënetës, për një politike të jashtme krejtësisht konfuze, krejtësisht të papërshtatshme”, deklaroi Shehu.

“Mazhoranca thotë që ky është buxheti më i mirë sepse është rritur me 3 %. Unë them jo. 3% është vetëm inflacioni. 3% nuk është asgjë për ndryshime të mëdha, të thella të buxhetit në kushtet e politikës së jashtme për të influencuar në ndryshimet, në përmirësimet e politikë së jashtme shqiptare”, tha Shehu.

“Ky buxhet, – theksoi Shehu, – nuk jep asgjë të re në politikën e jashtme shqiptare dhe realisht nuk shoqërohet me asnjë prioritet në fushën e politikë së jashtme se si duhen shpenzuar paratë e buxhetit”.

“Është normale që gjithmonë kur bëhet një buxhet të zërë disa prioritetet dhe elemente thelbësore për çfarë do të përdoret në sektorë të veçantë. Kjo bën që politika e jashtme shqiptare sot të mos jetë në përputhje me interesat tona, të jetë një politikë konfuze, e paqartë, e cila herë pas here ka rënë ndesh edhe me aleatët dhe partnerët tanë të mëdhenj që janë SHBA-të”, u shpreh Shehu.

“Politika e jashtme me dështimet e saj, por dhe në tërësi me dështimet e qeverisë ka bërë që Shqipëria të humbi rolin në rajon për stabilitetin e rajonit”, theksoi deputeti i PD.

Pra, vijoi Shehu, “është një politikë e jashtme krejtësisht aventureske në këtë periudhë, krejtësisht në kundërshtim me interesat tona edhe në rajon, krejt e paqartë e cila ka dëmtuar imazhin e vendit tonë”.

“Këto gjëra nuk mund të korrigjohen me një rritje 3 % të buxhetit, të cilat nuk janë asgjë. Por kërkojnë ndryshime thelbësore në konceptin dhe vizionin e politikë së jashtme. Dhe pastaj këto ndryshime në koncept dhe vizion dhe themelet e politikës së jashtme duhet të shoqërohen padyshim me mbështetje buxhetore për t’i bërë sa më të realizueshme”, tha Shehu.

/gj.mima/ i.vata/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.