Dita e Shën Mërisë së Bënjës festohet sot në kishën e rijetëzuar
Dita e Shën Mërisë së Bënjës festohet sot në kishën e rijetëzuarBanorët e Bënjës në Përmet sot festojnë ditën e Shën Mërisë ndryshe, në destinacionin e rijetëzuar të kishës së Bënjës, pasi ky thesar kulti është itinerari më i ri turistik i ”Rrugëve të besimit”.http://ata.gov.al/2018/11/20/dita-e-shen-merise-se-benjes-festohet-sot-ne-kishen-e-rijetezuar/
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E martë, 20 Nëntor 2018
TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ – Banorët e Bënjës në Përmet sot festojnë ditën e Shën Mërisë ndryshe, në destinacionin e rijetëzuar të kishës së Bënjës, pasi ky thesar kulti është itinerari më i ri turistik i ”Rrugëve të besimit”.
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro është shprehur se, ”sot është dita e Shën Mërisë së Bënjës. Gëzuar gjithë besimtareve ortodoksë të Përmetit e më gjerë, me këto pamje të kësaj kishe fantastike tashmë të restauruar e të nxjerrë në dritë”.
Restaurimi i kishës është hapi i parë i ndërmarrë për zhvillimin e kësaj zone. Kisha e Shën Mërisë, monument kulture i kategorisë I, është një objekt me vlera të veçanta, ndërtuar mes viteve 1789 dhe 1891.
Gjithashtu Bënja është një vend me potenciale kulturore dhe natyrore të mëdha, ndaj meriton të jetë një ndër destinacionet turistike më të kërkuara në Përmet.
Kjo kishë ka planimetri drejtkëndore dhe tre nefe. Nga ana perëndimore është vendosur narteksi dhe nga ana lindore absida. Hyrjet nga perëndimi dhe jugu mbulohen me portik të mbështetur mbi kolona. Nga analizat nuk paraqitet prezenca e pikturave murale.
Në vitin 1967 u mbyll nga regjimi komunist dhe u rihap në korrik 1991. Në datë 21 nëntor, kjo kishë pret pelegrinët e luginës, që festojnë ditën e ‘Shën Mërisë së Bënjës’.
Trashëgimia Kulturore dhe turizmi kulturor mbeten prioritetet e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. /a.a/j.p/












