Fluturimet charter, 61% rritje në fluksin e pasagjerëve

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/- Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me charter për dhe nga aeroporti “Nënë Tereza” në Tiranë, ka shënuar rritje prej 61% gjatë muajit shtator të këtij viti në krahasim me shtatorin e 2017.

Sipas të dhënave zyrtare në Autoritetin e Aviacionit Civil, shifrat tregojnë një numër prej 299.354 pasagjerë, të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit shtator për/nga TIA, si dhe 46.375 pasagjerë kanë fluturuar me anë të linjave charter.

“Kompania ajrore “Blue Panorama” është mbizotëruese në treg duke mbuluar fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin shtator 2018, me një numër prej 55.817 pasagjerë ose 19% të totalit. Ndjekur nga fluturimet charter, me 15% ndaj totalit dhe 46.375 pasagjerë dhe duke vijuar me kompanitë “AlbaWings” dhe “Ernest S.p.A”, të cilat kanë secila 11 % ndaj totalit”, bën të ditur AAC.

Përqindjen më të madhe të tregut të transportit ajror për muajin shtator 2018 vazhdon ta zotërojë Italia, duke zënë 49% të totalit, ndjekur nga fluturimet charter me 15% si dhe nga Turqia me 10%.

“Sikurse tregojnë edhe shifrat vëmë re se ka një tendencë në rritje nga viti në vit të numrit të pasagjerëve që udhëtojnë nëpërmjet ajrit përgjatë muajit shtator. Duke e krahasuar me vitin 2017, gjatë shtatorit të vitit 2018 një rritje prej 61% të fluksit të pasagjerëve kanë pasur fluturimet charter”, bën të ditur AAC.

AAC thekson se “nga viti 2016 në vitin 2017 kanë shënuar një rritje prej 21%. Rritje në përqindje ka pasur gjithashtu edhe numri i pasagjerëve që kanë fluturuar me charter ndaj totalit të pasagjerëve, rritje kjo sikurse duket edhe në grafikun si më poshtë, prej 15% ndërkohë që në 2017 dhe 2016 ka qenë 11%”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.