TIRANË, 13 nëntor /ATSH/- Nxitja e punësimit nëpërmjet sigurimit të punësimit të qëndrueshëm, është pjesë e rëndësishme e planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë tha sot në Komisionin e Ekonomisë se, projektbuxheti i vitit 2019 do të mbështesë nxitjen e punësimit përmes subvencionit që llogarit një fond total prej 490 milionë lekë, të cilat do të përdoren në funksion të punësimit.
“Programi që po zbaton qeveria për nxitjen e punësimit ndërhyjnë realisht për të nxitur dhe mbështetur krijimin e vendeve të reja të punës duke bashkëpunuar me punëdhënësit dhe nëpërmjet subvencionimit të tyre”, – tha Ahmetaj.
Sipas INSTAT, punësimi u rrit me 4,3 për qind gjatë tremujorit të katërt të vitit 2017, në Shqipëri krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 0,9 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. /e.xh/j.p/




















