Ballina Lajme nga Vendi

Urgjenca e re e spitalit të Shkodrës, shërbim për 200 mijë qytetarë

TIRANË, 8 nëntor/ATSH/- Urgjenca e spitalit rajonal të Shkodrës është rikonstruktuar tërësisht, duke ofruar një standard të ri shërbimi për mbi 200 mijë qytetarë të Shkodrës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu përuroi ambientet e reja të urgjencës, e cila është pajisur edhe me aparatura moderne.
“Urgjenca është zemra e një shërbimi shëndetësor, ndaj po investojmë me hapa konkretë për përmirësimin e shërbimit për pacientët jo vetëm në Shkodër, por në të gjitha spitalet rajonale”, – tha Manastirliu.
Spitali rajonal i Shkodrës është pajisur gjithashtu me pajisje të teknologjisë së lartë.
“22 pajisje moderne duke filluar nga defribilatorët, laparoskopi për ndërhyrjet me metoda të avancuara, inkubatorët për të porsalindurit etj, me vlerë mbi 300 mijë euro, sapo janë investuar në spitalin e Shkodrës. Po investojmë për shërbime me cilësi afër vendbanimit të qytetarëve”, – tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi nga Shkodra se urgjenca mjekësore do të ofrojë një standard të ri, duke shkurtuar kohën e pritjes për qytetarët.
“32 autoambulanca të reja me të gjitha aparaturat e nevojshme për shpëtimin e jetës, do t’i shtohen flotës së autoambulancave të Urgjencës Kombëtare në territor”, – tha Manastirliu.
E pyetur në lidhje me largimin e mjekëve, ministrja Manastirliu tha se “qeveria ka një strategji për përmirësimin e kushteve të punës për mjekët dhe rritjen e pagave dhe incentivave financiare për mjekët që japin shërbim sipas nevojës”.
“Me buxhetin e vitit 2019, do të rriten pagat 7% për 18.416 mjekë dhe infermierë të shërbimit publik”, – tha Manastirliu. /k.s/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRruga panoramike Shëngjin-Velipojë, ndërtimi nis vitin e ardhshëm
Artikulli tjetërHELSINKI – Weber kandidat i së djathtës europiane për postin e presidentit të KE-së