Ballina Kryesore

Shqipëri-Gjermani, bashkëpunim për avancimin e Reformës në Drejtësi

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ – Shqipëria mbetet e përkushtuar të punojë ngushtësisht me Gjermaninë, në mënyrë që të arrijmë progres të mëtejshëm në Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe gjithashtu që të trajtojmë probleme specifike si aplikimet e pabaza për azil të shtetasve shqiptarë, trafiqet e paligjshme të të gjithë llojeve, etj.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi një takim me tetë deputetë të Bundestagut gjerman, përfaqësues nga të gjitha partitë parlamentare gjermane.

Gjatë bisedës me deputetët gjermanë Balla u shpreh se, “Shqipëria e konsideron Gjermaninë një partnere të rëndësishme strategjike në fushën e sigurisë dhe rendit publik”.

“Gjermania dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta, që përputhen 100 % me njëra-tjetrën për të cilat Ministritë e Brendshme respektive kanë intensifikuar kontaktet dhe po punojmë bashkërisht që t’i realizojmë. Fokus i veçantë vihet në çështje që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, emigracionit ilegal, korrupsionit dhe sigurisht terrorizmit ndërkombëtar”, tha Balla.

“Është në interesin tonë dhe të partnerëve tanë europianë që puna në këto fusha të drejtohet dhe të monitorohet në kontekstin e benchmarks të negociatave të anëtarësimit. Sigurisht është edhe në interesin e besueshmërisë së procesit të zgjerimit që të tregojë se dedikimi ndaj progresit në reforma do të shpërblehet dhe do të jetë frytdhënës. Gjithashtu, një qasje e balancuar e procesit të zgjerimit në rajon do të ndihmonte në luajtjen e rolit tonë konstruktiv në lidhje me zhvillimet rajonale”, u shpreh Balla.

Viti 2018, tha Balla, “shënon intensitetin më të lartë të shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë mes dy vendeve, sidomos në dimensionin parlamentar. Ne duam të intensifikojmë në vijimësi bashkëpunimin me Gjermaninë, duke pasur në fokus vendimin e qershorit 2019 (dëgjesa në Bundestag, shkëmbime vizitash në nivele të ndryshme, konsultime diplomatike, etj)”.

Gjithashtu, theksoi Balla, “duke qenë se Bundestagu ka vënë si kusht për konferencën e parë ndërqeveritare ‘paraqitjen nga Qeveria Shqiptare të një projektligji për reformën zgjedhore në Shqipëri, në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it, duke siguruar financime transparente për fushatat dhe partitë zgjedhore’, e informuam delegacionin gjerman se tashmë ka një draft të përgatitur nga ekspertët falë mbështetjes së vyer të dy fondacioneve gjermane “Konrad Adenauer” dhe “Friedrich Ebert”.

Delegacioni drejtohet nga Stephan Brandner (AfD), kryetar i Komisionit të Ligjeve, pjesë e delegacionit janë prof. dr. Heribert Hirte (CDU/CSU), Carsten Müller (CDU/CSU), dr. Karl-Heinz Brunner (SPD), Esther Dilcher (SPD), dr. Jürgen Martens (FDP), Gökay Akbulut (Të majtët), Canan Bayram, (Aleanca 90/Të Gjelbrit).

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDurrës- Moti i keq dhe deti i trazuar vonojnë lundrimin e trageteve
Artikulli tjetër300 qendra të reja shëndetësore në 3 vjet, 80 qendra gati në fund të vitit