TIRANE, 23 tetor /ATSH/ – Gjatë 5 viteve të fundit, administrata tatimore ka vendosur 1922 masa administrative dhe ka konfiskuar 2120 automate elektronikë për lojërat e fatit.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj paraqiti sot në Komisionin e Ekonomisë masat administrative dhe konfiskimet e lojërave të fatit në subjektet e palicencuar prej datës 1 janar 2014, deri në 31 gusht 2018.
Gjatë vitit 2014, janë marrë gjithsej 412 masa administrative, në vitin 2015, 361 masa administrative, në vitin 2016, 521 masa administrative, në vitin 2017, 404 masa administrative dhe në vitin 2018, 234 masa administrative.
Administrata tatimore ka marrë gjithsej 1922 masa.
Dhe për sa i përket automatëve elektronikë janë konfiskuar 2120 automatë elektronikë.
“Ndërkohë në këto 5 vjet, nga 40 kompani të cilat paguanin 3,7 miliardë lekë, u përgjysmuan në 20 kompani të cilat paguajnë 5,4 miliardë lekë”, deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Financave.
Ahmetaj bëri me dije se gjatë këtyre 5 viteve janë hequr 3 licenca për kompani bastesh. /o.l/j.p/













