Ballina Lajme nga Vendi

“Forca e Ligjit”, hetim grupeve të strukturuara kriminale

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – Operacioni “Forca e Ligjit” ka goditur të ashtuquajturit “të fortët”, duke hetuar të gjitha grupet kriminale në tërësi dhe jo individë të veçantë.

Zv.ministri për punët e Brendshme, Julian Hodaj, u shpreh në një intervistë televizive se me nisjen më 20 shtator të operacionit “Ndëshkimi i të fortëve”, grupet kriminale hetohen si strukturë, pra kush është financues, kush drejton, kush janë bashkëpunëtorët. “Kjo databazë i hapi rrugën zhvillimit të operacioneve të strukturuara. Në vend që të hetohej një vepër kriminale e veçantë, hetohet i gjithë grupi”, theksoi Hodaj.

Lidhur me sekuestrimin e aseteve të këtyre grupeve kriminale, Hodaj u shpreh se nëse vërtetohet që kjo pasuri nuk është vënë me rrugë të ligjshme, por si pasojë e trafikut dhe krimit, atëherë kjo pasuri sekuestrohet.

Lidhur me provat për të arrestuarit, Hodaj u shpreh se Policia ka fakte dhe prova. “Ajo që është bërë publike deri tani nuk është dosja e plotë hetimore. Janë lëshuar vendimet e arrestimit dhe vendimet e kontrollit. Jemi akoma në fazën e parë. Ka edhe shumë prova të tjera dhe do të grumbullohen prova të tjera për aq kohë sa hetimi vazhdon”, theksoi ai.

Lidhur me përgjimet e këtyre grupeve kriminale, Hodaj u shpreh se, “përgjimet japin indicie për të zhvilluar një punë hetimore. Por duke qenë se janë përgjime të autorizuara nga gjykata, ajo autorizon përgjimet vetëm nëse ka disa indicie që po zvhillohet një veprimtari kriminale. Në dosje pastaj ka rrethana dhe fakte të tjera që do të ndihmojnë prokurorët për hetimin”.

Hodaj nënvizoi se, operacioni nuk u dekonspirua. “Të koordinohen 1500 forca të ndryshme policore në 12 qytete të ndryshme mund të ketë rrezik për dekonspirim, por operacioni nuk u dekonspirua”, tha Hodaj.

I pyetur për mos arrestimin e Klement Balilit, Hodaj theksoi se policia ka ngushtuar rrezen e kërkimit, “Nëse policia duhet të gjejë indicie për një të kërkuar në 10 vende dhe kontrollon 5 vende, ngushtohet rrethi i kërkimit. Nuk e di pse kërkimet janë bërë në atë fshat. Por njerëzit e botës së krimit edhe në vende të huaja mbështetjen më të madhe e gjejnë në zonën e tyre dhe disa prej tyre janë kapur në zonat afër banesës së tyre. Por kjo nuk dihet ende. Duhet pyetur Policia e Shtetit për detajet hetimore. Ka një kërkesë të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar. Pati një kërkesë edhe nga kryeministri dhe po punohet në mënyrë të vazhdueshme në këtë drejtim”.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLojërat e fatit, në 5 vjet u vendosën mbi 1900 gjoba
Artikulli tjetër“Toyota Yaris”, Balla: Do t’i shkoj deri në fund drejtësisë