Ballina Aktualitet

Nxitja e punësimit, çelësi i suksesit në luftën kundër varfërisë

TIRANË, 17 tetor/ATSH-Maela Marini/ Reformat e nxitjes së punësimit janë çelësi i suksesit në luftën kundër varfërisë.

Kështu deklaroi sot zv/kryeministrja Senida Mesi e pranishme në konferencën e organizuar sot në Tiranë, në kuadër të Ditës Botërore kundër Varfërisë.

Qeveria, tha Mesi, është e angazhuar duke nxitur sipërmarrjen dhe duke krijuar klimën e domosdoshme që biznesi të rritet, sepse janë ata që krijojnë punësimin dhe ndikojnë në rritjen ekonomike.

Zv/kryeministrja veçoi dy reforma të rëndësishme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si Rilindja Urbane dhe Reforma në Drejtësi, që kanë pasur ndikim në politikat për reduktimin e varfërisë në vend.

Rilindja Urbane dhe programi “100 fshatrat” patën ndikim në zhvillimin rajonal, ndërsa Reforma në Drejtësi është një parakusht edhe për nxitjen e investimeve të huaja direkte, por edhe të investimeve të brendshme”, – tha Mesi.

Duke u ndalur te reformat e qeverisë në luftën kundër varfërisë, Mesi veçoi reformën në skemën e ndihmës ekonomike dhe përfshirjen sociale. “Ne synojmë rritjen e eficiencës dhe përdorimit maksimal të fondeve në dispozicion, ku në këtë skemë të re të përfitojnë të varfërit e vërtetë, duke minimizuar abuzimet. Por, synimi i qeverisë është dalja nga varfëria përmes punës”, – tha Mesi.

Punësimi në vend të ndihmës ekonomike, sipas saj, është objektiv i qartë i qeverisë.

Mesi solli në vëmendje shifrat e INSTAT, sipas së cilave “në vitin 2015 papunësia ishte në nivelin 17.3 %, ndërkohë që në tremujorin e parë të këtij viti është në nivelin 12.5 %”.

Sfidë për ne, tha ajo, mbetet punësimi i të rinjve dhe moslargimi i tyre nga vendi. “Për këtë, përgjigja jonë është trajnimi profesional”, – tha Mesi. j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRiintegrimi i familjes, nga skema e ndihmës ekonomike në punë
Artikulli tjetërInovacioni, memorandum bashkëpunimi i qeverisë me Universitetin e Prishtinës