Riintegrimi i familjes, nga skema e ndihmës ekonomike në punë

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ – Në ditën Botërore kundër varfërisë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi një familje që ka dalë nga skema e ndihmës ekonomike dhe është integruar përmes punësimit.

“Riintegrimi i familjeve në nevojë përmes aftësimit profesional dhe punësimit është në fokus të politikave sociale të Qeverisë, për zbutjen e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies së familjeve”, – tha ministrja Manastirliu.

Kozeta Kruja është një grua kryefamiljare me 4 fëmijë, e cila për shumë vite ka përfituar nga skema e ndihmës ekonomike, ndërsa nga muaji shtator, ajo është punësuar nëpërmjet zyrave të punësimit.

“Skema e ndihmës ekonomike sigurisht është një skemë mbrojtjeje për familjet në nevojë, por ne jemi të orientuar drejt punësimit, si mënyra më e mirë për të zbutur varfërinë dhe për të rritur mirëqenien e familjeve”, – tha Manastirliu.

Duke theksuar përparësinë për gratë kryefamiljare, Manastirliu tha se do të jenë në fokus të politikave sociale, edhe sa i takon skemës së ndihmës ekonomike.
Skema e re e ndihmës ekonomike është një skemë aktive riintegrimi, nëpërmjet krijimit të mundësive për punësim, duke rritur përfshirjen në politikat aktive të tregut të punës të përfituesve të skemës së ndihmës ekonomike.

Gjatë periudhës janar – gusht janë trajtuar nga Zyrat e Punës 14,000 persona, nga të cilët janë punësuar 2475 individë. Kanë marrë pjesë në kurset e formimit profesional 427 persona, ish-përfitues të skemës së ndihmës ekonomike, të cilët gjithashtu marrin dhe para cash në masën sa 50% të pagesës së papunësisë, për ndjekjen e kurseve të formimit profesional. o/l/.j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.