TIRANË, 6 tetor /ATSH/- Qeveria pritet të nisë konsultimet me grupet e interesit, mbi disa ndryshime në paketën fiskale që do të shoqërojë projektbuxhetin e vitit 2019, të cilat kosistojnë në mbështetjen dhe lehtësimin e zhvillimit të biznesit në vendin tonë.
Ndër ndryshimet më të rëndësishme janë ulja e dividendit (aktualisht është 15%), dhe rishikimi i kufijve të pagës (sot pagat mbi 130 mijë lekë tatohet mbi 23% që është më e larta në rajon dhe ka krijuar skema shmangieje për ata që kanë pagat e larta. Ndryshime të tjera janë norme e reduktuar TVSH 10 % për importin e autobuzëve elektrikë të transportit publik, rregullimi i taksimit per personat fizik tregtar; përjashtimi nga TVSH i furnizimit me shërbim nga nënkontraktorët për kontraktorët në industrinë fason etj.
Sipas draftit të përgatitura pikat e diskutimit me grupet e interesit janë:
Ligji “Per Procedurat Tatimore”
- Dispozitë antishmangie e përgjithshme, me qëllim mos-keqpërdorimin e ligjit për përfitime të pandershme fiskale. Reduktimi I mundësive për Planifikim tatimor Agresiv.
- Dispozita shtesë në legjislacion për taksimin e fitimeve kapitale në lidhje me active dhe të drejta që ndodhen në Shqipëri dhe që zoterohen nga jorezidentë shqiptarë, në lidhje me shitjet e kuotave të kompanive, aktiveve apo te drejtave që ndodhen ne Shqipëri.
- Rregullimi i taksimit për personat fizik tregtar. Dizenjimi I një skeme që takson të ardhurat pas tatimit (0 % për 5 milion, 5 % për 5-14 milion dhe 15 % për mbi 14 milion). Kjo pasi barra fiskale e një personi fizik është minimalisht 13 % më e ulët se e një investitori në kapital, 6-7 % më e ulët se e një të punësuari dhe maksimalisht pa taksë.
Ligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”
- Përjashtimi në import i lëndëve të para për fabrikat e prodhimit farmaceutik
- Përjashtimi nga TVSH I furnizimit me shërbim nga nënkontraktoret për kontraktoret në industrinë fason
- Përjashtimi nga TVSH i importit të makinerive bujqësore sipas listes së miratuar me VKM, nga ço importues
- Normë e reduktuar TVSH 10 % për importin e autobuzëve elektrike të transportit public
Ligji “Per akcizat”
- Rishikime të akcizes për rërat dhe zhavoret bituminoze, duke taksuar atë lloj lende të parë që zëvendeson nënproduktet e naftës dhe ndikon në ambient.
- Heqja e akcizës për fishekzjarret, llampat, pilat/bateritë
- Rishikime të nivelit të akcizës për duhanin e përpunuar dhe zevendesuesit e tij, duhanet me ngrohje, purot.
Ligji “Per tatimin mbi të ardhurat”
- Rishikim i normës së tatimit mbi dividentin
- Rishikim i kufijve të pagës që tatohen me norm atë ndryshme tatimore.
Ligji “Për taksat Nacionale”
- Ndryshimi I skemës së taksimit të ambalazheve plastike, kalimi nga taksimi i ambalazheve plastike, tek taksimi i materialeve plastike, duke e ulur me 2/3 normën ekzistuese.
- Axhustime në skemën e rentës minerare për industrine e kromit, me qëllim nxitjen e përpunimit brenda vendit të mineraleve duke shtuar vlerën e tij për eksport. e.xh/ /a.g/























