TIRANË, 4 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Reformat e ndërmarra kanë transformuar sistemin arsimor nga rrënjët”, – tha sot Kryeministri Edi Rama.
Në ceremoninë e çeljes së shkollës së Drejtorëve, Kryeministri Rama u ndal te reformat e ndërmarra gjatë 5 viteve të fundit në arsim. “Ka ende shumë për të përmirësuar, ka ende boshllëqe dhe të meta dhe pasoja të së shkuarës që janë aktive, por padiskutim nuk ka të krahasuar shkolla sot me atë që ishte 5 vite më parë”, – tha Rama.
Ai nënvizoi sistemin e rekrutimit të mësuesve, një sistem tërësisht i korruptuar dhe i kalbur, me pasoja dramatike në cilësinë e mësimdhënies, i transformuar tashmë në një sistem transparent dhe të pakorruptueshëm, si rezultat i dixhitalizimit të sistemit të testimit dhe rekrutimit të mësuesve.
Rekrutimi i mësuesve, tha Rama, nuk është më i lidhur me politikën dhe nuk zhvillohet në interes të partive apo nën diktatin e ryshfetit, por është i bazuar te dija.
Duke folur për tekstet shkollore, Rama tha se “5 vite më parë në sistemin tonë shkollor ishte një situatë dramatike me tekstet e shkollës”. Alterteksti, tha ai, kishte krijuar një mal librash shkollorë, në funksion të një sistemi korrupsioni dhe klientelizmi të jashtëzakonshëm.
“Ne larguam fillimisht 600 tekste me votën e mësuesve në gjithë territorin, si tekste të dëmshme për procesin dhe i zëvendësuam ato me tekste shkollore të Cambridge, Oxford dhe Pearson, të afirmuara botërisht për nivelin e tyre cilësor”, – tha Rama.
Po ashtu nënvizoi nismën e rëndësishme të qeverisë shqiptare për shpërndarjen e librave falas nga klasa I në të IV. Deri në fund të mandatit, shtoi Kryeministri, ne synojmë të shpërndajmë libra falas deri në klasën e IX.
Po ashtu, Rama tha se reformat në arsim garantuan meritokraci në hyrjen në universitete, përmes dixhitalizimit të plotë të gjithë procesit të rekrutimeve. Ai shtoi se sot nuk ka më universitete private që funksiononin si ndërmarrje fitimprurëse, duke marrë lekë dhe shpërndarë diploma. /j.p/














