TIRANË, 4 tetor/ ATSH/ – Gazetari Skënder Minxhozi pyeti Kryeministrin Edi Rama në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës, për hetimet e çështjes së Xhisela Malokut, nëse Prokuroria dhe Policia kanë vepruar sipas procedurave dhe duke zbatuar ligjin në këtë rast.
“Unë Ju kujtoj një gjë, keni qenë kritik ndaj Adriatik Llallës, ju dhe përfaqësuesit tuaj. Që të zbresim te Shqipëria reale, si thoni Ju. Keni zgjedhur Kryeprokuroren Arta Marku, dua një përgjigje politike. Si e komentoni vonesën e Prokurorisë, a jeni koshient që ka krijuar gjithë këtë situatë, Ju si e lexoni këtë vonesë? Denoncimi u bë në korrik dhe djali i deputetit u arrestua në shtator”.
Kreu i Qeverisë tha se Prokuroria dhe Policia kanë vepruar në mënyre korrekte. “Unë këtë gjë e kam marrë vesh nga Taulant Balla, i cili kishte rënë në gjurmët e letrës. Unë kam pyetur, cili ka qenë roli i Policisë së Shtetit kur kjo vajzë është shfaqur? Dhe Policia e Shtetit ka qenë korrekte. Oficeri në Fushë-Krujë ka shkelur ligjin. Ai u pezullua në mënyrë korrekte. Ju thoni u vonua arrestimi, Prokuroria ka punën e vet. Unë nuk kam si e diskutoj punën e Prokurorisë. Unë nuk bëj dot që të them si ju. Një grua prokurore ka bërë hetimin”.
Kryeministri Rama theksoi se qeverisja e tij ndryshon nga qeverisja e Partisë Demokratike. “Kam bindjen që shqiptarët nuk janë budallenj. Shqiptarët nuk i hanë këto. Edhe në këtë rast, ne kemi dhënë provën që jemi komplet ndryshe nga ata dhe djali i deputetit është në burg, ne nuk bëjmë si ata që do thonin ‘lironi djalin’. Askush nuk ndërhyn në këtë proces”. /o.l/r.e/






















