Ballina Ekonomi

Gusht 2018, huaja në lekë mbajti 46.1% të kredisë totale

Politika monetare e BSH-së stimulon nxitjen e kredisë në lekë  

TIRANË, 4 tetor /ATSH/- Kushtet financiare për bizneset dhe familjet vijojnë të mbeten të favorshme, të karakterizuara nga norma të ulëta interesi dhe prime të reduktuara rreziku.

Kostot e financimit të sektorit bankar, të sektorit privat dhe të sektorit publik, janë të ulëta, në reflektim të kursit akomodues të politikës monetare.

Ndërsa normat e ulëta të interesit për kredinë në lekë kanë ndihmuar zgjerimin e portofolit të kredisë në monedhën vendase, i cili mbetet instrumenti i preferuar i financimit dhe mbështetësi kryesor i zgjerimit të kredisë për sektorin privat.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ritmi i rritjes vjetore të kredisë në lekë shënoi vlerën 6% në muajin gusht. Në fund të këtij muaji, kjo kredi përbën rreth 46.1% të kredisë totale.

Dinamika e kreditimit në vend pasqyron ecurinë e kërkesës dhe ofertës për të. Më konkretisht, kërkesa për kredi mbetet e moderuar – ndonëse me një tendencë përmirësimi gjatë tremujorëve të fundit – ndërsa bankat vijojnë të aplikojnë kushte të shtrënguara kreditimi, sidomos për segmentin e bizneseve. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë konstaton se reduktimi i vazhduar i rrezikut të kredisë, siç ilustrohet nga rënia në nivelin 12.9% e raportit të kredive me probleme në muajin gusht, krijon parakushtet për një përqasje më proaktive të bankave në kreditim.

/e.xh/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShumë rekord nga Gjermania për Shqipërinë
Artikulli tjetërPD: Qeveria hesht për kamerat e policisë së Fushë-Krujës