Jaka: Sipërmarrja e interesuar për një integrim real rajonal
Duke falënderuar ATSH dhe Tanjug për organizimin e kësaj konference jashtëzakonisht efektive edhe për sipërmarrjen private, Jaka tha se "shifrat ekonomike që u lexuan për rritjen ekonomike dhe qarkullim tregtar mes Shqipërisë dhe Serbisë janë shifra optimiste, të cilat japin hapësirë për të menduar se realisht ka filluar të lëvizë qarkullimi tregtar ekonomik, por realisht ka filluar të lëvizë edhe komunikimi dhe ulja e sipërmarrjeve të dy vendeve tona për të parë mundësitë reale se kush janë ato, për të diversifikuar më shumë ekonominë, më shumë investimet.
Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 3 Tetor 2018
TIRANË, 3 tetor/ATSH/- Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, theksoi të mërkurën se “sipërmarrja është shumë e interesuar që të ketë një integrim real të shoqërisë dhe të shtetit ku ne jemi pjesë, në një integrim real rajonal”.
Në fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare që po zhvillohet në Tiranë me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”, të organizuar nga Agjencia Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, Jaka theksoi se “është shumë e rëndësishme që sipërmarrja shqiptare të marr sinjalet e duhura për një stabilizim të rajonit dhe për një integrim të këtij rajoni”.
Duke falënderuar ATSH dhe Tanjug për organizimin e kësaj konference jashtëzakonisht efektive edhe për sipërmarrjen private, Jaka tha se “shifrat ekonomike që u lexuan për rritjen ekonomike dhe qarkullim tregtar mes Shqipërisë dhe Serbisë janë shifra optimiste, të cilat japin hapësirë për të menduar se realisht ka filluar të lëvizë qarkullimi tregtar ekonomik, por realisht ka filluar të lëvizë edhe komunikimi dhe ulja e sipërmarrjeve të dy vendeve tona për të parë mundësitë reale se kush janë ato, për të diversifikuar më shumë ekonominë, më shumë investimet, por ndërkohë edhe më shumë qëllime strategjike siç është edhe rasti i fundit i “Telekom Serbia”, të paktën duke dëgjuar gjithmonë pjesën e lajmeve dhe jo pjesë të lajmit zyrtar akoma”.
Jaka u shpreh se “është shumë e rëndësishme që sipërmarrja të marrë sinjalet e duhura për një stabilizim të rajonit dhe integrim të këtij rajoni”.
“Ne nuk na vjen mirë që të paktën kemi sinjale negative për pozicionin e Bashkimit Europian, për ekzistencën apo mos ekzistencën e saj, sepse fatkeqësisht liderët e 6 vendeve të cilët pretendojnë të integrohen në këtë grupim të madh të vendeve demokratike akoma vazhdojnë të kenë qëllim në vetvete integrimin në BE dhe jo integrimin real të shteteve të tyre”, nënvizoi Jaka duke shtuar se nëse do të sfumohet edhe kjo hipotezë i bie që do të sfumohet edhe ambicja e këtyre liderëve për të integruar vendin në Bashkimin Europian.
Jaka shprehet se “unë mendoj që është detyrim i gjashtes që të hartojë politika dhe strategji të qarta sesi duhet të kryejë komunikimin, marrëdhënien dhe biznesin me njëri-tjetrin”.
“Nuk mendoj se BE do të na japë një zgjidhje magjike, sesi ne do të rrisim qarkullimin ekonomik dhe tregtar . Jam i sigurt se BE akoma nuk po reagon, edhe pak në projektet madhore rajonale siç janë korridori i Adriatikut që i jep një mundësi reale ndërmarrjes dhe sipërmarrjes rajonale , por ndërkohë ngelet për të parë me shumë kujdes edhe investimi dhe procedimi i financimeve europiane për korridorin që lidh Tiranë Prishtinë, Beograd”, theksoi Jaka.
Hartimi i një politike gjithëpërfshirëse për mënyrën sesi duhet të performojmë ne si rajon me komunitetin europian, vijoi ai, është jashtëzakonisht e rëndësishme në mënyrë që të ruajmë identitetin e sipërmarrjes tonë, të ruajmë identitetin e produkteve dhe të shërbimit, që rajoni do të ekspozojë në kushtet e një tregu dhe konkurrence europiane , pse jo dhe një konkurrence globale.
“Këto janë pikat që ne na vihen përpara në mënyrë që edhe sipërmarrja të jetë e përgatitur dhe në sinkron me strategjitë që hartojnë qeveritë e 6 vendeve në mënyrë që ne të jemi në finale në mënyrën e duhur dhe të suksesshme”, përfundoi Jaka./k.s/ j.p/














