TIRANË, 30 shtator/ATSH/ – Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi pranë bashkisë Shkodër nga data 1 shtator – 29 shtator 2018 ka ndërhyrë në 130 raste zjarri dhe shpëtimi, të cilat janë sa totali ndërhyrjeve në muajt korrik dhe gusht të marra së bashku.
Sipas bashkisë së Shkodrës, vetëm në 5 ditët e fundit, MZSH e këtij qyteti është përballur me 61 ndërhyrje, shifër e paprecedent për shërbimin zjarrfikës për muajt e verës e jo për muajin shtator ku me rënien e temperaturave, edhe rreziku i zjarreve zvogëlohet.
Për shuarjen e zjarreve të rëna, është punuar në çdo orë, ditën dhe natën dhe ne terrene të ndryshme fushore, kodrinore, kullota dhe pyje.
Drejtoria e MZSH Shkodër ka punuar me kapacitet të plotë të mjeteve dhe efektivave, 24 orë në 24 në çdo ditë të javës.
Në 5 ditët e fundit, zonat ku ka patur më shumë shfaqje zjarresh janë njësia administrative Velipojë me 13 raste, Njësitë Administrative Bërdicë, Dajç, por është ndihmuar edhe në Bashkinë e Vaut- Dejës dhe atë Fushë- Arrëz. Në këtë momente MZSH Shkodër është duke dhënë ndihmë me mjete dhe efektivë në Tuç, ku po përballen me një zjarr të përmasave të mëdha.
Nga verifikimet konkrete në terren është konstatuar se këto zjarre janë shkaktuar nga dora e njeriut, për pastrimin e arave, pakujdesia e banorëve, por edhe të qëllimshme.
Bashkia Shkodër përsërit thirrjen për të gjithë banorët e saj, të jenë të kujdesshëm, të mos përdorin zjarrvënien për pastrimin e sipërfaqeve të tokave, sepse situata mund të dalë jashtë kontrolli duke rrezikuar banesa dhe jetë njerëzish.
Njëkohësisht, bashkia i bën thirrje banorëve të bashkëpunojnë me MZSH Shkodër, të njoftojnë sapo të vihen në dijeni të rënies së zjarrit. /k.s//e.caushi/































