TIRANË, 27 shtator /ATSH/ – Rritja rekord e numrit të turistëve në Shqipëri, gjatë këtij sezonit veror i ka dhënë një shtysë të mëtejshme edhe tregut të transportit ajror të pasagjerëve.
Instituti i Statistikave publikoi të dhënat zyrtare të sektorit të transportit, ku numri i pasagjerëve arriti në 376 mijë, me një rritje 15% krahasuar me një vit më parë. Për tetë muajt e parë të vitit, nga Aeroporti i Tiranës kanë udhëtuar afro dy milionë pasagjerë me një rritje prej 14% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Tashmë në Shqipëri tregu i transportit ajror të pasagjerëve po merr një zhvillim të konsiderueshëm nga viti në vit, ndërsa potencialet për këtë sektor janë ende shumë të mëdha. Hyrja në treg e operatorit “Air Albania”, ka zgjuar një interes të madh për flurimeve nga aeroporte të tjerë veç atij të Tiranës.
Ndërsa pritet të nisë funksionim Aeroporti i Kukësit në veri të vendit dhe qeveria po punon për të filluar ndërtimin e Aeroportit të Vlorës dhe ambiciet janë edhe për një aeroport në Sarandë, në skajin më jugor të vendit që do të ketë impakt të drejtëpërdretë në zhvillimin e një turizmi elitar.
Të dhënat e Instat treguan se për tetë muajt e parë të këtij viti, Shqipërinë e vizituan 4.4 milionë shtetas të huaj, në rritje me 117% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa daljet e shqiptarëve jashtë vendit arritën në 3.6 milionë, në rritje me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. e.xh/ /a.g/























