TIRANË, 26 shtator /ATSH/ -Emocionet e derbit të kryeqytetit mes “Partizanit” dhe “Tiranës” rikthehet sërish këtë sezon pasi bardheblutë u ngjitën në Superiore këtë sezon.
Trajneri i “Partizanit”, Skënder Gega dhe kapiteni i ekipit Alban Hoxha folën në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me “Tiranën” për shumë aspekte, duke u munduar të largojnë presionin, sepse me rëndësi është arritja e objektivave.
“Derbi ka specifikën e vet, ka elementët e vet pozitivë. Nëse e kalojmë me sukses, patjetër që do të jetë pozitive, sepse rrit besimin në ekip. Vijmë nga një moment i mirë por është vetëm fillimi dhe duhet kuptuar kjo. Nuk jemi aty ku duhet, por kemi nevojë për rritje dhe besoj se do të ndodhë”, – tha Gega.
“Janë emocione të tjera, ndoshta edhe më të mëdha sepse ka përgjegjësi më të mëdha. Si lojtar është ndryshe, i shkarkon emocionet, je vetë përgjegjës. Kur je trajner ke 25 lojtarë, ke stafin dhe i bën vetë zgjidhjet, sepse duhet të përgatitësh ndeshjen në detaje. Presioni është dhe emocionet sigurisht, por duke parë lojtarët në sy dhe se si punojnë, i ndajmë gjërat, të kaluarën dhe të sotmen. E presim kënaqësi”, – u shpreh ai.
Sa i përket formacionit, Gega tha se, “nuk ka sekrete, unë kam 25 veta, kam aktivizuar edhe lojtarë të ri. Është e vështirë kur sheh që ka konkurrencë, tanimë është rritur. Kam një dilemë shumë të vogël, deri të premten do tentoj të zgjedh grupin më të mirë”.

Edhe kapiteni i “Partizanit”, Alban Hoxha ka shprehur të njëjtat ide si trajneri, duke theksuar faktin që presioni qëndron mbi “Tiranën”.
“Ju e dini që hoqa dorë nga shiriti, pati keqkuptim me Moggin. Tani flasim çdo gjë me trajnerin, drejtorin, se Moggi më shumë nuk ishte. Është krijuar frymë pozitive, ky është ndryshimi”, – tha Hoxha.
I pyetur nëse “Partizani” është më i fortë, Hoxha u shpreh se, “nuk mund ta them. Do të japim maksimumin. Po fitove një derbi je më i miri, po humbe nuk bën më. Normalisht që unë dua t’i motivoj, siç do bëjë edhe trajneri, edhe ata që janë më të vjetër në klub. Të gjithë e dinë vlerën e derbit, deri të premten kemi kohë”.
/gj.m/j.p/























