TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Shqipëria do të ketë një njësi koordinuese për forcimin e mekanizmit kombëtar të barazisë gjinore, e cila do të sigurojë qëndrueshmëri më afatgjatë e bashkëpunim më të thellë me partnerët e donatorët.
Në Tiranë u organizua sot për herë të parë një tryezë e rrumbullakët rajonale për barazinë gjinore, aktivitet i realizuar nën kujdesin e veçantë të zëvendëskryeministres Senida Mesi, si Koordinatore Kombëtare e Barazisë Gjinore, dhe me kontributin e “UN Women” në Shqipëri.
Vendosja e një strukture të fortë kombëtare për barazinë gjinore, si një nga detyrimet kyçe që rrjedh nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për eleminimin e çdo forme diskriminimi ndaj gruas (CEDAW) dhe rekomandimet e ndryshme të raporteve të BE-së, mblodhi në këtë tryezë të rrumbullakët përfaqësues të rëndësishëm të Bankës Botërore (BB), partnerë ndërkombëtarë, si dhe Kryetarët e Mekanizmave Kombëtarë të Barazisë Gjinore të Bosnje-Hercegovinës, Gjeorgjisë, Kosovës, Maqedonisë, Moldavisë dhe Serbisë, me qëllim kryesor shkëmbimin rajonal të eksperiencave, të mirëfunksionimit dhe efektivitetit të këtyre mekanizmave.
Në fjalën hapëse të këtij aktiviteti, Mesi e cilësoi këtë aktivitet si një mundësi shumë të mirë për shkëmbimin rajonal të eksperiencave. Ajo u ndal tek promovimi i barazisë gjinore si një prej shtyllave bazë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Bashkëpunimi rajonal dhe mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë, ngelen esenciale në avancimin e axhendës së barazisë gjinore”, – theksoi Mesi.
Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor u shpreh se “barazia gjinore i shërben ‘ekonomisë së zgjuar’ dhe në Ballkanin Perëndimor ka një hendek të vogël për sa i takon arsimimit mes burrave e grave, por ka një hendek më të madh kur vjen puna tek aksesi në tregun e punës”. Ajo nënvizoi faktin se Banka Botërore dhe partnerët e tjerë zhvillimorë po bashkëpunojnë me qeveritë e rajonit për promovimin e barazisë gjinore.
Petra Burchner, Drejtoreshë e Agjencisë Suedeze për Zhvillim u shpreh se ka arritje të dukshme por ka ende sfida në vijim për sa i takon dhunës ndaj grave e vajzave. “Ndryshimi shoqëror është i vështirë, por të bashkuar ia dalim”, – theksoi ajo.
Kjo eksperiencë do të shërbejë për të nxjerrë mësime për reformat e qeverisë shqiptare në kuadër të “Objektivit Strategjik numër 4” të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe “Planin e Veprimit 2016-2020 – Fuqizimi i Mekanizmit Kombëtar për Barazinë Gjinore”.
/m.m/

























