Ballina Kulturë

“Takimet Muzikore të Dy Botëve”, aty ku tradita takohet me klasiken

TIRANË,22 shtator /ATSH/- Grupi polifonik “Ergjëria” dhe artisti i njohur slloven Marko Hatlak çelën edicionin e XII të festivalit ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” në kalanë e Gjirokastrës.

Për 12 vjet rresht shoqata “Argjiro”, e cila organizon festivalin po vazhdon të promovojë vlerat e trashëgimisë kulturore, duke ndërthurur muzikën klasike dhe atë tradicionale.

“Takimet Muzikore të Dy Botëve” këtë vit do të udhëtojë nga 21 shtatori deri në 10 tetor, nga kalaja e Gjirokastrës, në Shkodër, në Vlorë e në Tiranë. Edicioni i 12 i festivalit “Takimet Muzikore të dy Botëve” organizohet këtë vit nën ombrellën e Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore.

Në kalanë e Gjirokastrës, në një atmosferë të ngrohtë muzikore u prezantuan këngët më të mira gjirokastrite dhe ato labe, të përzgjedhura me mjeshtri nga grupi polifonik “Ergjëria”.

Artisti slloven Hatlak për pesëmbëdhjetë vjet ka performuar solo në koncerte, dhe ka ndarë skenën me shumë artistët të njohur si solo, ansamble, orkestra dhe dirigjentë, të cilët e kanë çuar në qasjen e tij unike dhe të padiskutueshme. Zhanret muzikore që ai lëvron janë tango, etno, barok dhe kontemporane.

Koncerti i dytë i festivalit do të jetë në Shkodër, në Qendrën Arka, më datë 29 Shtator, ora 19 :00, për të vijuar më tej me koncerte në qytetin e Vlorës si dhe Tiranën./a.a/ j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 22/9/2018
Artikulli tjetër2 kate parkim nëntokësor në rrugën e “Elbasanit”