Ballina Lajme nga Vendi

Gjirokastër, përkujtohet 74-vjetori i çlirimit të qytetit

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ – Në Gjirokastër u zhvillua sot ceremonia e 74-vjetorit të çlirimit të qytetit nga pushtuesit nazi-fashistë.

Në ceremoninë e organizuar ishte i pranishëm prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj, drejtues të pushtetit vendor, veteranë, familje të dëshmorëve, etj.

Prefekti i qarkut Aliaj u shpreh se “lufta Nacionalçlirimtare është një epope e lavdishme e historisë tonë, ku të gjitha ato vajza e djem, burra dhe gra që u përfshinë në luftë, iu kundërvunë me heroizëm fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë”.

“Përulemi me respekt përpara heroizmit, luftës dhe sakrificave të dëshmorëve që derdhën gjakun jo vetëm për çlirimin e qytetit tonë, por edhe për të gjithë luftëtarët e lirisë që kontribuan në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare”, – theksoi Aliaj.

Prefekti u shpreh se “është nder dhe detyrim që të përcjellim brez pas brezi vlerat e heronjve që dhanë jetën e tyre për këtë kauzë kaq kuptimplotë dhe jetike”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore qyteti i Gjirokastrës dhe rrethina e tij u kthyen në arenë të luftimeve. Katër nga njësitë më të mëdha të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, janë formuar dhe kanë kanë kryer luftime në territorin e qarkut të Gjirokastrës, Brigada e 6-të Sulmuese, formuar në 20.01.1944, Brigada e 8-të Sulmuese u themelua në 25.04.1944, Brigada 14-të Sulmuese në 20.08.1944 dhe Brigada e 18-të Sulmuese në 30.08.1944.

Njësitë e UNÇ kryen luftime në të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Qyteti u çlirua pas dy ditë luftimesh në mëngjesin e 18 shtatorit të vitit 1944. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDurrës – Mbi 58 mijë udhëtarë me tragete nga 1-16 shtator
Artikulli tjetërBushati: Inovacioni lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë