TIRANË 11 Shtator/ATSH-A.Fortuzi/- Barcelona përballë Gironës është ndeshje e vlefshme për javën e katërt të “La Ligës” spanjolle të futbollit. Ajo që bie në sy është fakti se skuadrat kanë paraqitur një kërkesë, që ndeshja në fjalë të luhet në Miami, Florida.
Në një deklaratë të lëshuar nga LFP, ndeshja në “shtëpi” e Girona kundër katalanasve mund të transferohet në stadiumin “Hard Rock”, më 26 janar, me start orën 20:45. Ky vendim vjen pas marrëveshjes së bërë nga drejtuesit e Federatës Spaniolle të Futbollit me median multinacionale, shoqërinë sportive dhe argëtuese “Relevant”, që do të zgjasë 15 vjet, dhe do të nxisë konkurrencën në Amerikën e Veriut. Kjo nënkupton zhvillimin e një ndeshjeje të La Liga-s në SHBA, për hera e parë.
Girona nga krahu saj, zbuloi këtë javë se do ta pranonte propozimin për të luajtur kundër gjigandëve katalanas të Barcelonës në SHBA, pasi ajo paraqet “një mundësi të madhe të zgjerimit dhe rritjes”. Presidenti i Girona, Delfi Geli, është bashkuar me homologët e tij të Barcelonës dhe La Liga-s, Josep Maria Bartomeu dhe Javier Tebas, në nënshkrimin e një letre drejtuar RFEF-së për dhënien e lejes.
Një nga çështjet ka të bëjë me propozimin për kompensimin e tifozëve lokalë dhe mbajtësit e biletave sezonale (aboneve), që do ta humbasin këtë lojë. /j.p/






















