Ballina Lajme nga Vendi

Librat falas, Rama: Në fund të mandatit për të gjithë arsimin e detyruar

TIRANË, 6 shtator/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Elbasani se librat shkollorë për fëmijët nga klasa e parë në të nëntën, do të jenë falas viti pas viti dhe në fund të mandatit do të mbyllet gjithë cikli.

Në fjalën e tij gjatë një takimi me mësuesit ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta, Kryeministri Rama, theksoi se “sot që flasim vijmë nga një rrugë ku kemi dhënë tekste falas, jo pak, por për 108 mijë fëmijë me probleme ekonomike nga klasa e parë në të nëntën, si fëmijët me ndihmë ekonomike, fëmija i tretë për ata që kanë shumë fëmijë, fëmijët e policëve të vrarë, fëmijët e prindërve me probleme shëndetësore e me radhë”.

“Nuk kanë qenë pak, por nuk kanë qenë mjaftueshëm. Sot kemi mundësi ta bëjmë këtë për 190 mijë fëmijë, vitin e ardhshëm për klasën e 5-të dhe brenda mandatit për të gjithë fëmijët nga klasa e I në të IX. Nuk është e jashtëzakonshme, por diçka e nevojshme, madje e domosdoshme, e nevojshme për familjet që kursejnë para, që i mbeten buxhetit të familjes për të tjera gjëra, por e domosdoshme për shoqërinë, sepse nuk është vetëm aspekti financiar, por edhe aspekti i kujdesit të një shoqërie të tërë për fëmijët dhe për edukimin e tyre”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk është çështja vetëm se po japim tekste falas, por po japim tekste totalisht ndryshe nga ata që shiteshin deri 2-3-4 vite më parë, sepse reforma, revolucioni që ne bëmë me tekstet është i shkallëzuar dhe mbyllet vitin e ardhshëm me klasën e V”.

“Të gjithë fëmijët e Shqipërisë po marrin librat e Oxford, Cambridge dhe Pearson, shtëpi botuese me prestigj botëror dhe jo libra që torturonin fëmijët, mësuesit dhe prindërit, libra që kishin nevojë për 7 përkthyes dhe çdo përkthyes të jepte ndryshe kuptimin”, – tha Rama.

Duke e vënë theksin tek librat e refuzuar nga vetë mësuesit, Rama u shpreh se “600 libra u refuzuan nga mësuesit, pjesa tjetër u pastrua duke ia lënë vendin teksteve të një cilësie më të lartë që janë më shtrenjtë, sepse janë produkte reale”.

“Por, nuk na vjen mirë që një pjesë e prindërve duhet të vazhdojnë t’i blejnë tekstet, janë 2/3 e nxënësve që i marrin falas, nuk janë thjesht nga klasa e parë në të katërtën, por edhe kategoritë që përmenda”, – tha Rama. /k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQyteti antik i Orikut, 1800 turistë në periudhën janar-gusht 2018
Artikulli tjetërBERLIN – Gjermania vendi me rritjen më të madhe të rrogave në BE