Ballina Aktualitet

Manja: Audiopërgjimi, një bisedë mes miqsh “zbulim” i opozitës

TIRANË, 29 gusht /ATSH/ – Audiopërgjimi mes Denar Bibës dhe Ledio Biankut ka qenë thjesht një bisedë kafeneje mes dy miqsh.

Kështu u shpreh sot kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja lidhur me audiopërgjimin e publikuar ditën e djeshme ku nënkryetari aktual i KQZ, Denar Biba u akuzua nga opozita se shantazhoi gjyqtarin shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku.

“Kur mendon se opozita e preku fundin s’ke parë vërtet gjë akoma. Dy miq Denar Biba dhe Ledio Bianku flasin në vitin 2014 në një kafe dhe del pas disa vitesh që na paskan bërë shantazh për gjykatën e Strasburgut”, tha Manja.

Zbulime të tilla, theksoi Manja, “vetëm Lulzim Basha di të bëjë. Opozita e sotme, dje në pushtet, e di shumë mirë çështjen e pronave dhe detyrimet e qeverisë shqiptare, sipas vendimit-pilot të Gjykatës së Strasburgut. Qeveria e PD-së nuk bëri asnjë hap për rekomandimet e Gjykatës së Strasburgut. PD ende nuk ka dhënë llogari për katrahurën që ka bërë me pronat në Shqipëri. Dhe merr guximin dhe kërkon llogari për një bisedë kafeneje mes dy personave”.

Manja theksoi se, “delegacioni shqiptar shkoi në vitin 2014 në Strasburg me një listë pronash dhe u miratua në vitin 2015. Atëherë çfarë qenka ky shantazh, ku biseda e dy miqve në kafe u miratua më pas në Kuvend”.

“Lulzim Basha vazhdon të bëjë atë që di të bëjë më mirë, të zhytet thellë në ujin e ndenjur ku ka zhytur opozitën shqiptare Na ka zënë taksirati që kur Basha ka marrë detyrën e specialistit të audiopërgjimeve”, tha Manja.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPD: Buxheti i Shtetit po shpërndahet tek klientët e Qeverisë
Artikulli tjetërKOMENT – Zvogëlohet kufiri mes njeriut dhe makinës