Ballina Lajme nga Vendi

Kryeministrat e rajonit në Durrës, “check-up” hapit të përbashkët drejt BE-së

TIRANË, 27 gusht/ATSH-Maela Marini/ Marrëdhëniet rajonale dhe ecuria e përbashkët në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian ishte në fokus të takimit informal të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u zhvillua sot në Durrës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit informal, Kryeministri Edi Rama e cilësoi takimin të frytshëm dhe të dobishëm.

“Jemi sot këtu në këtë takim informal bashkë me kryeministrat e Malit të Zi dhe Kosovës, komisionerin Hahn si dhe me Presidentin e Bankës Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim.  Ndërkohë që rrethana objektive kanë pamundësuar praninë e disa miqve të tjerë të rëndësishëm”, tha Rama, në fillim të fjalës së tij.

Ai i shprehu ngushëllimet kryeministrit Borisov për aksidentin tragjik ku kanë humbur jetën shumë persona dhe është bërë shkak për anullimin në minutën e fundit të ardhjes së tij.

“Po ashtu kryeministri i Maqedonisë e ka pasur të pamundur fluturimin për shkak të kohës së keqe. Kryeministrja e Serbisë na ka përcjellë keqardhjen për pamundësinë”, tha Rama.

Lidhur me takimin, Rama u shpreh se “kemi zhvilluar një takim të frytshëm e të dobishëm, duke bërë një bilanc të ecurisë së procesit të krijimit të zonës rajonale ekonomike”. “Kemi parë me radhë të gjitha aspektet e këtij procesi, si ato që janë ashtu si duhet, edhe ato që kanë nevojë për një shtysë më të fortë”, tha Rama.

Ai tha se në takim u diskutua edhe më gjerësisht për marrëdhëniet dhe ecurinë e përbashkët në rrugën e anëtarësimin në BE.

Ndërkohë, Kryeministri Rama vlerësoi rolin e Komisionerit Hahn, si koordinator i procesit për ndjekjen e planit të masave për zonën ekonomike rajonale dhe qasjet për eliminimin e barrierave jotarifore dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendeve.

Ai vlerësoi po ashtu edhe mbështetjen për aspektet që lidhen me iniciativat brenda grupit të vendeve, si ajo më e afërta drejt realizimit, për ngritjen e Qendrës për Zhvillimin e Qëndrueshëm Teknologjik në Malin e Zi, iniciativë që sipas Ramës, “e mbështesim të gjithë fuqimisht”. /j.p/

 

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërfaqësues të anijes ushtarake rumune Mircea priten në bashkinë e Durrësit
Artikulli tjetërFilmi fantazi dhe aksion “Meg”, arkëton 213 mln dollarë në pak ditë