Ballina Kulturë

Korça turistike, Boboshtica dhe Dardha në festën e rakisë

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ – Boboshtica dhe Dardha janë stacionet festive të sezonit të verës në dy ditë. Korça me prioritet turizmin veror, i ka shtrirë aktivitetet edhe fshatrave. Sidomos në ato që kanë vlera turistike dhe që në zonën juglindore nuk janë të pakta.

Nxitja e turizmit dhe zhvillimi ekonomik i fshatrave nëpërmjet pushuesve, mbetet një nga prioritetet e bashkisë Korçë. Festat janë zhvilluar tashmë në fshatra të tilla të njohura e me tradita si Mborja, Voskopoja, Polena etj.

Vendasit i quajnë festat e Shën Marisë nga përkimi me këtë ngjarje fetare. Nga bashkia janë emërtuar si festat e rakisë.

Në dy ditë, këto festa organizohen në Boboshticë, e cila dje mirëpriti vizitorë të shumtë, të cilët shijuan rakinë duke e shoqëruar me këngë e valle dhe gatime tradicionale, ndërsa sonte këtë festë e mirëpret edhe fshati turistik i Dardhës.

Boboshtica njihet për rakinë e famshme të manit dhe Dardha për rakinë e kumbullës së egër.

Vizitorët e pushuesit mund të shijojnë këto pije edhe duke parë nga afër teknikat e zierjes së rakisë me kazan.

Gatimet tradicionale, atmosfera festive me muzikë dhe argëtime të ndryshme si dhe natyra e trashëgimia që ruhet në këto fshatra e bëjnë më të larmishme një ditë pushimi në Boboshticë dhe Dardhë. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFoto/Punime në qendrat shëndetësore në periferi të Tiranës
Artikulli tjetërJanar-korrik 2018, mbi 121,792 persona kanë hyrë në vendin tonë nga porti i Sarandës