Ballina Aktualitet

SHBA, angazhim për rritjen e bursave për studentët shqiptarë

TIRANË, 9 gusht/ATSH/ Sistemi amerikan i edukimit mbetet një nga më të preferuarit për studentët shqiptarë.

Programet studimore të akorduara nga Programet Fulbright apo Exchange Visitor Program, kanë ndihmuar në zhvillimin profesional të shumë studentëve dhe ekspertëve shqiptarë, të cilët japin një kontribut të çmuar në administratën shqiptare, fushën pedagogjike dhe në sektorin privat.

Këto programe japin mundësi për të studiuar në shkollat e mesme, universitete, kërkim shkencor, ndërtim të eksperiencave profesionale, mësimit të gjuhës angleze dhe përfitimin e cilësive ndërkulturore si edhe ushtrimin e pedagogjisë në shkollat, universitetet apo kolegjet amerikane.

Në këtë kontekst, Ambasadorja e SHBA-së, Floreta Luli Faber zhvilloi një takim me Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Arsimin dhe Çështjet Kulturore, Marie Royce dhe drejtuesit e programeve që operojnë në Shqipëri për të eksploruar mundësitë e reja të bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe kulturës, në kuadër të këtyre programeve.

Gjatë bisedës së tyre, u theksua trendi pozitiv i akordimit të bursave dhe u dakordësua të shihen rrugët e bashkëpunimit nëpërmjet mekanizmave ligjorë për rritjen e numrit të tyre.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Sekuestrohet një anije me 20 tonë kanabis sativa
Artikulli tjetërVonesat në fluturime, rritet numri i kompensimeve të pasagjerëve