Vonesat në fluturime, rritet numri i kompensimeve të pasagjerëve

TIRANË, 9 gusht/ATSH/- Numri i kompensimeve të pasagjerëve për vonesat mbi 3 orë të kompanive ajrore, gjatë muajit korrik 2018, është rritur.

Autoriteti i Aviacionit Civil në buletinin mujor për muajin korrik 2018 me statistika për aviacionin shqiptar e ndërkombëtar bën të ditur se “si rrjedhojë e plotësimit të numrit të madh të formularëve nga pasagjerët është rritur numri i kompensimeve gjatë muajit Korrik 2018, nga 140 që ishte në muajin e kaluar shifrat shkojnë në 160, duke u rritur me 20 pasagjerë që do të marrin rreth 250 euro kompensim për vonesat mbi 3 orë të kompanive ajrore”.

Sipas të dhënave të AAC-së, shifra pritet të rritet akoma edhe më shumë në muajt në vijim, kjo e lidhur me numrin e madh të formularëve të ankimimit, që janë plotësuar nga qytetarët, për shkak të vonesave të shënuara në muajin korrik.

“Proçedurat e kompensimit variojnë deri në 6 javë dhe nëse kompania nuk i jep qytetarit përgjigjen e duhur atëherë çështja ndiqet nga ekspertët e AAC-së, me kërkesë të vetë pasagjerit”, theksohet në buletinin e AAC-së.

Deri në muajin maj 2018 numri i kompensimeve ishte 80, në qershor në 60, korriku me 20 kompensime, në total numri shkon në 160 kompensime.

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, janë vendosur edhe tabelat përkatëse që orientojnë qytetarët si të zgjidhin çdo problematikë që kanë me kompanitë ajrore, si për vonesat e fluturimeve, anulimeve, humbje ose dëmtim të bagazhit apo lëvizja e personave me aftësi të kufizuar. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.