PARIS, 3 gusht /ATSH-AFP/ – Atmosfera pritet të jetë e qetë, por diskutimet serioze. Emmanuel Macron pret sot, në Cote d’Azur, kryeministren britanike, Theresa May për të biseduar për negociatat për Brexit, që po vazhdojnë në afrim të divorcit mes Londrës dhe Bashkimit Europian.
Takimi do të fillojë rreth orës 18:15 (16:15 GMT) me një bisedë pune mes dy drejtuesve, të cilët do t’u bashkohen më pas bashkëshortëve përkatës Brigitte dhe Philip për një darkë miqësore.
“Kryeministrja britanike, kthyer nga pushimet në Itali, do të shpjegojë për presidentin francez, Emmanuel Macron qëndrimin e Londrës në negociatat për Brexit dhe të ardhmen e marrëdhënieve me BE-në”, theksoi Elyse.
Këto negociata kanë progresuar pak këto javët e fundit, ndërkohë që Londra dhe Brukseli janë përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje deri në samitin europian të tetorit për organizimin e divorcit të tyre, programuar për 29-30 mars 2019.
“Ne tashmë jemi dakord me 80% të marrëveshjes për tërheqjen”, nënvizoi Michel Barnier, në një artikull të publikuar dje nga e përditshmja franceze “Le Figaro”.
“Por ne duhet të gjejmë ende një marrëveshje për pika të rëndësishme”, shtoi ai duke përmendur çështjen e nxehtë të kufirit mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës, anëtare e BE-së.
Theresa May do të flasë gjithashtu me Emmanuel Macron për librin e bardhë, publikuar në korrik nga Londra, me propozime për të përcaktuar marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian./
/ec/























