Fund sorollatjeve, Ndreu apel deputetëve për të votuar propozimet në Kodin Rrugor

TIRANË, 19 korrik/ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu i ka bërë thirrje palëve politike për të votuar ndryshimet e propozuara për Kodin aktual Rrugor, ç’ka sipas tij do t’i japë fund sorollatjeve të shumta të emigrantëve shqiptare dhe turistëve.

Në seancën plenare, deputeti Ndreu ka shpjeguar propozimet e tij në pr/ligj, duke zgjidhur një nga problematikat që sipas tij, hasen më së shumti nga emigrantët shqiptarë dhe turistët e huaj.

Ai tha se “sot me Kodin aktual Rrugor ka një sorollatje të tmerrshme. Bëhet fjalë për 10 shkelje që Kodi i parashikon me heqje drejtimi të automjetit. Pas kësaj kalon në polici, në prefekturë, për në Ministri. Në rastin më të mirë duhen 3 muaj për të marrë patentën. Ka ndodhur që janë penalizuar dhe nuk kanë marrë lejen e drejtimit”.

Ndreu shpjegoi se “unë kam propozuar që të gjejmë një rrugë alternative që nëse drejtuesi i automjetit penalizohet, mund edhe duke paguar dyfishin e gjobës për të marrë patentën në vend”.

Sipas deputetit të Lezhës, është e vetmja pikë e Kodit që nuk ka zgjidhje dhe penalizon rëndë shtetasit tanë shqiptarë, emigrantët dhe turistët që vizitojnë vendin tonë. Duke i bërë thirrje deputetëve të të gjitha palëve politike, ai ka bërë apel për të votuar këto ndryshime, duke mos i parë këto të fundit si probleme politike, por si detyrim ndaj shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

“Unë i bëj thirrje deputetëve që ta shohin këtë jo si një problem politik. Unë mendoj se duhet të mos e shohin si problem politik, por si detyrim që e kemi ne, ndaj shtetasve tanë”, – ka përfunduar Ndreu.

Ndryshimi i propozuar synon që shtetasit e huaj apo emigrantët të mund të shpëtojnë nga pezullimi i patentës në rast të shkeljes së rregullave, duke paguar dyfishin e gjobës.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.