TIRANË, 13 korrik/ATSH/- Plazhi i Shëngjinit është pajisur me 7 kulla vrojtimi të cilat mundësojnë sigurinë e plotë për pushuesit në këtë sezon veror.
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato zhvilloi sot në Shëngjin, Lezhë, një inspektim të kushteve të sigurisë që po zbatohen përgjatë vijës bregdetare në këtë qark.
Për rritjen e sigurisë në 1.5 km vijë bregdetare të Shëngjinit, ministrja Qato në bashkëpunim me bizneset e zonës u angazhuan në nisje të sezonit turistik për ngritjen e 7 kullave të vrojtimit, një për çdo 250 m.
Kullat tashmë janë plotësisht funksionale dhe me të gjithë elementët e sigurisë sipas standardeve të parashikuara, ndër të cilat 3 metër lartësi dhe pozicionimin në breg.
Gjithashtu në çdo kullë do të jetë i vendosur një roje (baywatch), i certifikuar nga Federata Shqiptare për gjithë sezonin. Me kullat e vendosura eshte mbuluar e gjithë vija bregdetare nga fillimi i plazhit Kune deri tek Skaliera.
“Garantimi i sigurisë në plazhe këtë vit përforcohet me punësimin nga ana e sipërmarrjes të rojeve bregdetare të kualifikuar dhe të trajnuar nga federata shqiptare të cilët plotësojnë standartet e kërkuara për sigurinë në plazh”, tha ministrja Qato në fjalën e saj.
Ajo u bëri thirrje përfaqësuesve të sipërmarrjes në vend që operojnë përgjatë vijës bregdetare që gjatë këtij sezoni turistik të rrisin masat e sigurisë për pushuesit përmes plotësimit të kushteve të kërkuara me kulla vrojtimi dhe roje bregdetare të kualifikuar.
Sipas saj, këto kulla janë të domosdoshme për të garantuar sigurinë, por edhe rrisin aktivitetin e sipërmarrjeve gjatë sezonit turistik . /a.gjonaj//m.m/






















