TIRANË, 6 korrik/ATSH/ – Kuotat janë opsioni më i mirë për të siguruar përfaqësimin e grave, çka bëri që për herë të parë në historinë e Shqipërisë Parlamenti në 2017 të përfaqësohej nga numri më i lartë të grave ministre.
Ekspertët, politikanët dhe publiku në përgjithësi mendojnë se kuotat janë opsioni më i mirë për të siguruar përfaqësimin e grave, përfshirë më shumë fonde për gratë gjatë fushatave politike dhe me shumë promovim në media. Po kështu, ky është një nga gjetjet e raportit “Standardet e përfaqësimit në partitë politike” përgatitur me mbështetjen teknike të Entit të Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women) dhe është zbatuar nga Instituti i Studimeve Politike në kuadër të programit “Lidershipi dhe Pjesëmarrja Politike”.
Raporti i bazuar në gjetjet para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare 2017 ka nxjerrë se për herë të parë në historinë e tranzicionit gratë dhe vajzat kanë 28% të vendeve në parlament. Kështu, për herë të parë në historinë e Shqipërisë kemi numrin më të lartë të grave ministre (10 nga 20 ministra në qeverinë me prurje teknike dhe 7 nga 14 ministra në qeverinë e re 2017). Janë zgjedhur 39 gra deputete, 22 prej të cilave për herë të parë si përfaqësuese në parlament.
Ajo çka thuhet në raport lidhur me sistemin e votimit proporcional, si në zgjedhjet lokale ashtu edhe në zgjedhjet parlamentare ka të bëjë me rezultatet më pozitive për përfaqësimin e grave në parlament dhe në këshillat bashkiakë, por në sistemin mazhoritar (votimi për kryetar bashkie) numri i grave konkurruese ishte në përqindje shumë më i vogël sesa kuota 30% e përcaktuar si standard minimal përfaqësimi.
Ndryshimet ligjore më me ndikim në Kodin Zgjedhor ishin më 2008, me përcaktimin e kuotës gjinore 30% të kandidimit në zgjedhjet parlamentare, si dhe në prag të zgjedhjeve lokale 2015 me zbatimin e kuotës gjinore 50% në listat e kandidimit dhe të zgjedhjes në këshillat bashkiakë. Kjo cilësohet në raport si përvojë pozitive e ndryshimit përmes ligjit e bën emergjente shqyrtimin e mundësisë për aplikimin e kuotës gjinore të detyruar edhe në zgjedhjen e deputetëve në zgjedhjet parlamentare.
Disa nga gjetjet e tjera të studimit:
– Për herë të parë në historinë e Shqipërisë kemi numrin më të lartë të grave ministre (10 nga 20 ministra në qeverinë me prurje teknike dhe 7 nga 14 ministra në qeverinë e re 2017). Janë zgjedhur 39 gra deputete, 22 prej të cilave për herë të parë si përfaqësuese në parlament. Ky përfaqësim është një arritje e rëndësishme grupeve lobuese politike e civile për kuotë përfaqësimi 30% në parlament dhe një referencë frymëzuese për qëndrueshmërinë dhe rritjen e përfaqësimit të barabartë të grave në të gjitha sferat e politikës vendimmarrëse.
– Gjatë legjislaturës 2013-2017, rritja e numrit të grave deputete erdhi më shumë si pasojë e detyrimit në Kodin Zgjedhor për zëvendësimin e mandateve me gjininë më pak të përfaqësuar sesa përmes fitores direkt të mandateve. Konkretisht, nga 36 mandate parlamentare të ndryshuara gjatë kësaj legjislature, 17 mandate i kaluan grave deputete të listës, shifër shumë më e lartë sesa numri i grave që u zgjodhën direkt nga mandatet e fituara në shtator 2013.
– Në legjislaturën e sapofilluar 2017-2021 nuk u zbatua ndarja e mandatave minister– deputet, duke provuar tezën se aplikimi pozitiv i dispozitës përkatëse të Kodit Zgjedhor mund të mos ketë rezultate të njëjta nuk ka dorëzime të mandateve, ndaj nuk përbën garanci të qëndrueshme për zgjedhjet e ardhshme
Ky program është financuar nga Qeveria suedeze nëpërmjet Fondit të Koherencës së Kombeve të Bashkuara dhe është pjesë e “Programit të Bashkëpunimit ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara 2012-2016”. /z.tosku/a.g/














