Ballina Bota

FISHË TEKNIKE – Mundësitë postBrexit për marrëdhëniet BM-BE

LONDËR, 6 korrik /ATSH-AFP/ – Kryeministrja britanike, Theresa May konfirmoi se dëshironte të ruante lidhjet më të ngushta të mundshme me Bashkimin Europian pas Brexit, një ambicie që përplaset me limitet që Brukseli dhe ajo vetë kanë vendosur.

BE parashikon një partneritet të stilit norvegjez apo një marrëveshje të tregtisë së lirë të avancuar si ajo me Kanadanë, mundësi të refuzuara nga May, e cila këmbëngul që të ketë marrëveshjen e saj ndërkohë që ministrat e saj e kundërshtojnë për shkallën e intimitetit që duhet të ruajë me Brukselin.

Ndërkohë që kryeministrja britanike ka mbledhur qeverinë në përpjekje për të arritur një kompromis të brendshëm para publikimit të parashikuar të detajeve të propozimit të saj, më poshtë vijojnë mundësitë ekzistuese.

– Opsioni norvegjez –

Norvegjia ka një marrëdhënie ekonomike dhe tregtare shumë të fortë me BE-në, si anëtare e Zonës Ekonomike Europiane (EEZ).

Ajo ka akses në tregun unik dhe duhet të respektojë lirinë e qarkullimit të personave, shërbimeve, të ardhurave dhe kapitaleve, por pa pasur fjalë për të thënë. Produktet bujqësore dhe të peshkimit nuk bëjnë pjesë në marrëveshje.

Përveç marrëdhënieve tregtare, Norvegjia është përshtatur me rregullat komunitare përsa i përket ndihmave shtetërore, konkurencës apo tregjeve publike.

Ajo nuk bën pjesë në Unionin Doganor.

Ky model u refuzua nga qeveria britanike, që kundërshton qarkullimin e lirë të personave dhe refuzon të njohë Gjykatën e Drejtësisë së BE-së.

– Një marrëveshje kanadeze –

Duke pasur parasysh linjat e kuqe të vendosura nga Londra, jo nga tregu unik, as nga Unioni doganor, BE njoftoi se marrëveshja për tregtinë e lirë arritur me Kanadanë, CETA, mund të shërbejë si model për marrëdhënien e ardhshme.

Një marrëveshje e tillë me britanikët do të reduktonte në mënyrë të konsiderueshme afrimin e tyre me Bashkimin Europian dhe ashtu si me Kanadanë, mund të nevojiten vite negociatash për t’u kuptuar për një shkallë bashkëpunimin dhe nivelin e të drejtave doganore.

Por, Londra kërkon një marrëveshje më ambicioze se ajo me Kanadanë, për të përfshirë shërbimet fianciare, një mundësi e hedhur poshtë nga Brukseli.

– Kompromisi i Mayt –

Theresa May mendon për një marrëveshje të re doganore, sipas të cilës Britania e Madhe do të aplikonte, për mallrat që kalojnë në territorin e saj dhe me destinacion BE, rregulla dhe të drejta doganore të vendosura nga Brukseli për tregtinë me vendet e treta.

Shumat e mbledhura nga doganierët britanikë do t’i jepen menjëherë BE-së.

Britania e Madhe mund të vendosë të drejtat e saj doganore për mallrat me destinacion territorin e saj.

– Rregullat e vetme nga OBT –

Në rast të dështimit të negociatave, Britania e Madhe do të bëhet ditën më pas një vend i tretë në sytë e BE-së.

Marrëdhënia e tyre do të jetë e drejtuar vetëm nga rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).

Këto rregulla përfshijnë të drejtat doganore dhe barrierat në tregti që do të pengonin shkëmbimet mes Londrës dhe kontinentit./ /ec/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakWebsite kombëtar për vendet e lira të punës
Artikulli tjetërZyrat e Punës, garant i bizneseve, por edhe i të drejtave të punonjësve