Policia e Shtetit, në parametrat mesatarë të vendeve të BE-së

TIRANË, 5 korrik/ATSH-Maela Marini/ Policia e Shtetit nga një trupë që ishte më e vjetra në moshë, më e pashkolluara, e keqpaguara dhe e keqpajisura në rajon, do të jetë një Polici e parametrave të performancës mesatare të policive të vendeve të Bashkimit Europian.

Gjatë prezantimit të rezultateve të operacionit “Forca e Ligjit në Veprim”, Kryeministri Edi Rama evidentoi ndryshimin që është bërë gjatë 4 viteve të fundit në fushën e rendit dhe sigurisë në vend.

“Nëse flasim për prekshmërinë vetëm 4 vite më parë, ishte koha kur shqiptarët ishin të ndarë në të prekshëm e të paprekshëm; kur semaforët ishin të kuq për njerëzit e zakonshëm dhe jeshil për të pushtetshmit; kur deputetët e ministrat mund të parkonin mbi çdo trotuar dhe mund të bllokonin çdo kalimtar të paprekur; ku padallueshmëria e ngjyrave politike në adresimin nga ana e Policisë së Shtetit të nevojës për të zbatuar ligjin për të gjithë ishte një utopi”, – tha Rama.

4 vjet më parë, shtoi ai, ishte koha kur raporti me ligjin i individëve kalonte përmes përkatësisë së tyre politike, nivelit të influencës në shoqëri dhe pasurisë.

“Ka qenë vetëm deri 4 vite më parë koha kur operacionet e Policisë së Shtetit për të goditur kriminelë me profil të lartë tradhtoheshin nga kupola e Ministrisë së Brendshme dhe ata e merrnin vesh para drejtorëve të Policisë se kishte një operacion për goditjen e tyre”, – shtoi Rama.

Po ashtu, ai theksoi se 4 vjet më parë nuk mund të imagjinohej se një ish-ministër i Brendshëm, i kërkuar nga drejtësia për një proces hetimi, të mos merrte asnjë mbrojtje politike, por partia në pushtet të bënte një ndarje të qartë mes politikës dhe drejtësisë.

“4 vite më parë Shqipëria ishte mbjellë nga të katër anët me kanabis, kishte dhe një ambasadë të kanabisit në Europë, Lazaratin, me imunitet politik dhe diplomatik botërisht të mbrojtur dhe kthyer në një resort të drogës. Në Lazarat trupat e huaja shkonin dhe bënin xhirime sikur shkonin në ndonjë park të mbrojtur, zonë natyrore e rëndësisë së veçantë dhe askush nuk lëvizte. 4 vite më parë komunikatat e policisë ishin sekrete dhe operacionet e kryera nuk ndaheshin me publikun”, – tha Rama.

Këto, shtoi ai, i përkasin të shkuarës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.