Ballina Aktualitet

Komisioni i Jashtëm, seancë dëgjimore me tre kandidatë për ambasadorë

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ – Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me tre kandidatë për ambasadorë, Elida Petoshati, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Mbretërinë e Danimarkës, Donika Hoxha kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Republikën e Bullgarisë, rezident si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Republikën e Moldavisë, jo rezident, Ridi Kurtezi kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH-së në Republikën e Malit të Zi.

Kryetarja e këtij komisioni, Mimi Kodheli kërkoi nga të tre kandidatët një prezantim të përgjithshëm të programit të tyre të kandidimit, si dhe nismat që do të ndërmarrin nëse zgjidhen ambasadorë.

Në prezantimin e saj, Petoshati u ndal te marrëdhëniet bilaterale midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Danimarkës. Ajo theksoi nevojën që kjo marrëdhënie të forcohet akoma më shumë lidhur me diplomacinë midis dy vendeve. “Danimarka është mbështetëse e procesit të zgjerimit dhe e dialogut Kosovë-Serbi. Në Shqipëri operojnë 35 kompani daneze. Pritet të nisin fluturimet Danimarkë-Shqipëri”, – u shpreh Petoshati.

Prezantimi i Hoxhës për ambasadore në Republikën e Bullgarisë vuri në fokus marrëdhëniet parlamentare midis dy Republikave, forcimin e marrëdhënieve ekonomike lidhur me eksportin dhe importin ndërmjet dy vendeve, por njëkohësisht edhe forcimin e rolit të turizmit në Shqipëri me fushata të ndryshme marketingu të përcaktuara.

Më tej, Kurtezi, në kandidim për ambasador në Republikën e Malit të Zi, vlerësoi punën e bërë nga Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi dhe prezantoi të gjitha pikat e punuara nga ai për shërbimin konsullor e gjithashtu me fokus për forcimin e marrëdhënieve së fqinjësisë së mirë ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Pas prezantimit, anëtarët e komisionit u drejtuan pyetje kandidatëve si dhe këshilla, sugjerime e komente të ndryshme. /m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Seehofer shtyn dorëheqjen për çështjen e migrantëve
Artikulli tjetër“Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, sipas standardeve ndërkombëtare