Ballina Aktualitet

Data për hapjen e negociatave, arritje e madhe për Shqipërinë

TIRANË, 30 qershor/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, deklaroi sot se vendimi për hapjen e negociatave në qershor të 2019 është një arritje shumë e madhe për vendin tonë. “Të kesh një datë konkrete për hapjen e negociatave dhe të fillosh procesin përgatitor për hapjen e tyre është arritja më e rëndësishme drejt Europës”, theksoi kryeparlamentari.

Në një konferencë për shtyp pas konkluzioneve të Këshillit të BE-së për negociatat me Shqipërinë, kryeparlamentari Gramoz Ruçi e vlerësoi këtë si një vendim që na afron më pranë familjes europiane.

“Këshilli e mori këtë vendim pasi disa nga vendet anëtare kanë detyrimin ligjor të marrin edhe opinionin e parlamenteve kombëtare për çështjen e zgjerimit dhe hapjen e negociatave”, theksoi Ruçi.

Kreu i Kuvendit u shpreh se “të gjithë kemi përgjegjësinë politike dhe kombëtare ta lexojmë qëndrimin e Këshillit në emër dhe të interesave të vendit tonë. Shqipëria është e përbashkët për të gjithë”, nënvizoi Ruçi.

Sipas tij, tashmë qeveria dhe opozita së bashku janë në testim, ndërsa Këshilli i BE-së kërkoi realizim të shpejtë të Reformës në Drejtësi, ngritjen e SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet.

Për këtë arritje, Gramoz Ruçi është shprehur se rolin kryesor e ka luajtur Kuvendi i Shqipërisë përgjatë të gjithë procesit të integrimit europian.

“Ky vendim nuk është suksesi vetëm i qeverisë, as i shumicës qeverisëse. Kjo arritje është meritë e të gjitha qeverive dhe opozitave, partive politike, udhëheqësve të tyre, grupeve parlamentare dhe të gjithë deputetëve që kanë kontribuar në realizimin e aspiratës europiane të Shqipërisë gjatë tri dekadave të fundit”, tha Ruçi.

Kreu i Kuvendit shprehu vlerësimin e mirënjohjen për kontributin e të gjithë paraardhësve që kanë shërbyer në këtë detyrë me pergjegjësi: Kastriot Islami, Pjetër Arbnori, Skënder Gjinushi, Namik Dokle, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli dhe Ilir Meta.

“Kjo arritje është gjithashtu meritë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët si me mbështetjen, ashtu edhe me kundërshtimin ndaj qeverive dhe opozitave, na kanë bërë më të përgjegjshëm për fatet e Shqipërisë dhe më llogaridhënës para tyre”, tha Ruçi./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRënia e interesit të depozitave ka nxitur investimet
Artikulli tjetërKryemadhi: Shtyrja e negociatave, dështim i qeverisë