Ballina Aktualitet

Kuvendi miraton pagesën e detyrimeve të prapambetura ndaj BERZH-it

TIRANË, 21 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Kuvendi votoi sot projektligjet në rendin e ditës, ndër të cilat edhe projektligjin “Për pagesën e detyrimeve të prapambetura në favor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”.

Sërish opozita vijoi me bllokimin e foltores së Kuvendit, ndërsa Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi vendosi të kalojë në votim projektligjet.

Në seancën e sotme plenare, Kuvendi miratoi me 71 vota pro dhe 1 kundër raportin vjetor të veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2017 dhe me 71 vota pro dhe 2 kundër Raportin Vjetor të Veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2017.

Po ashtu, me 72 vota pro, Kuvendi miratoi projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit”.

Në përfundim të seancës, Kuvendi miratoi edhe projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 19/2016 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimin e pozicioneve të punës të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA). /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHardh Fest 2018, aktiviteti që do të sjellë mijëra turistë në Kosovë
Artikulli tjetërMeksika dhe Serbia gjobiten për sjelljen e tifozëve