Ballina Bota

BRUKSEL – Samit për çështjen e migrantëve

BRUKSEL, 20 qershor /ATSH-ANSA-DPA/ – Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka kërkuar zhvillimin, ditën e diel, të një samiti jozyrtar mbi temën e migracionit dhe azilit, gjatë të cilit do të punojë me një grup të shefave të shteteve dhe qeverive të interesuara për gjetjen e zgjidhjeve europiane, në prag të takimit të ardhshëm të Këshillit Europian, njoftoi sot Komisioni Europian.

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të takohet të dielën në Bruksel me homologët e saj nga Austria, Italia, Franca, Greqia, Bullgaria dhe Spanja për të diskutuar politikat europiane për migracionin, shtuan burime diplomatike.

Takimi, që zhvillohet katër ditë përpara një samiti të BE-së, synon të zgjidhë mosmarrëveshjet e thella brenda Europës lidhur me migracionin. Çështja kërcënon të përçajë koalicionin qeverisës të Merkel, ndërsa qeveria e re e Italisë po shton presionin e saj ndaj shteteve të tjera të BE-së për ndihmë në përballimin e flukseve të emigrantëve.

E përditshmja italiane ”Corriere della Sera” fillimisht raportoi për takimin, i cili do të përfshijë Bullgarinë dhe Austrinë si vendet që përkatësisht kishin dhe do të marrin presidencën e radhës të Bashkimit Europian.

Gazeta më e shitur gjermane ”Bild” raportoi gjithashtu mbi bisedimet e planifikuara, duke cituar burime diplomatike.

”Gjermania do t’u paraqesë shteteve të tjera anëtare propozimin e saj për një kompromis lidhur me migrimin”, shprehet një përfaqësues i lartë i qeverisë greke./ /sm/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQytetari në qendër të buxhetit të shtetit, në 3 vitet e ardhshme
Artikulli tjetërAnkesa në platformën e bashkëqeverisjes, 101 mësues përfitojnë rritjen e pagës